Rama përshëndet patronazhistët “e frikshëm” të Durrësit: Qyteti do të bëhet porta kryesore e Adriatikut

Kryeministri Edi Rama ka mbyllur fushatën elektorale të Partisë Socialiste në Durrës, me një përshëndetje të fortë për patronazhistët e këtij qyteti, të cilë ai i quajti ‘të frikshëm’.

Krah kandidates së tij me një mandat, Emiriona Sako, ai u shpreh i bindur se Durrësi do të kthehet ashtu siç ka qenë dikur, porta kryesore e detit Adriatik.

Rama shtoi ndër të tjera se Durrësi është qyteti kryesor në Shqipëri, për transformimin ekonomik të vendit.

“Dua t’i bëj një përshëndetje patronazhistëve të frikshëm në Durrës, zgjedhësve dhe zgjedhëseve të PS në Durrës.Unë jam i bindur që nuk ka një km katror të Shqipërisë që nuk ka potencial për të zhvilluar turizmin.

Durrësi është lokomotiva e transformimit ekonomik jo të bashkisë së Durrësit por të republikës së Shqipërisë. Durrësi është kthyer në qendrën e gravitetit të një momenti të zhvillimit tonë ekonomik. Më në fund pas shumë përpjekjesh është vendosur baza dhe janë lodhur edhe gjërat bashkisë.

Me portin e tij turistik, portin e ri tregtar dhe hekurudhën e re Durrësi bëhet një pikë lidhëse për të gjithë hapësirën e rajonit tonë. Durrësi do të rikthehet se s’bën në historinë e asaj porte kryesore të kësaj ane të Adriatikut që romakët e përdorën për të hyrë dhe për t’u shtrirë në territore të tjera”, tha Rama.