Humbja e dyfishtë e Berishës në Tropojë

Sali Berisha nuk humbi vetëm Shkodrën, por edhe vendlindjen. Tropoja i besoi Edi Ramës duke i dhënë mandatin e dytë Rexhë Byberit. Por nuk u mbyll gjithçka me kaq. Qytetarët e Tropojës nuk e kishin problemin vetëm me kandidatin, por edhe me partinë. E thënë më qartë.

Nga vlerësimi i rezultatit të numërimit të votave deri tani për këshillin bashkiak, PS kryeson me pesë mandate. Më pas vjen koalicioni i Berishës me katër. Dhjetë parti të tjera kanë nga një mandat dhe një dy.

Llogaritja e faktorëve lokalë është e vështirë për shkak se vota për partinë mund të jetë e ndryshme nga ajo për kandidatin për shkak të rrethanave dhe faktit që një pjesë e familjeve, fiseve apo bajraqeve të mëdha ndryshe nga kandidati mund të mbështetin të zgjedhurin e tyre në këshill.

Megjithatë fakti është që PD-ja zyrtare ka zero mandate dhe koalicioni i drejtuar nga Sali Berisha i ka lënë fronin Edi Ramës në Tropojë për këshillat bashkiakë.