Moti i keq godet pjesën tjetër të Italisë, raportohet për përmbytje dhe një viktimë në jug

Një 45-vjeçar ka humbur jetën në Itali si pasojë e motit të keq që ka goditur sërish vendin. Ai u godit dhe u vra nga makina e tij që e kishte parkuar në një kodër, teksa po përpiqej ta shpëtonte nga përmbytjet në komunën e Contrada.

Viktima mendohet të ketë qenë duke punuar në një kopsht kur goditën përmbytjet, të cilat shkaktuan dëme të mëdha në shtëpitë dhe tokat bujqësore në atë zonë, raporton agjencia e lajmeve Ansa.

“Është një tragjedi në një zonë që nuk është e re për këto fenomene dhe që karakterizohet nga cenueshmëria e saj”, tha kryebashkiaku i Contrada, Pasquale De Santis.

Këto ngjarje ndodhën në jug të Italisë, ndërkohë që në krahun tjetër, situata është katastrofike ku 14 persona kanë humbur jetën dhe dhjetëra të tjerë janë zhdukur në zonën e Emilia-Romagna. Zona në veri-lindje të Italisë u shkatërrua nga stuhitë e fuqishme, të cilat sollën përmbytje dhe rrëshqitje të tokës duke bërë që rreth 36 mijë persona të braktisin shtëpitë e tyre.

Shkencëtarët e kanë studiuar situatën e Italisë dhe thonë se ngjarjet ekstreme si valët e të nxehtit, stuhitë e forta, përmbytjet dhe thatësirat po bëhen me të shpeshta si pasojë e ndryshimeve klimatike të shkaktuara nga njerëzit.