Kryeministri i vendit ka zhvilluar një takim sot në Durrës, në kuadër të turit falenderues për rezultatin e PS në bashkitë e vendit.
Edhe këtë të Premte, Rama vuri theksin te përgjegjësia e madhe që qytetarët i kanë dhënë mazhorancës përmes votës së tyre.
“Për herë të parë pas shumë vitesh, PS është forcë e parë e këshillit bashkiak në Durrës, edhe në Shkodër e Tropojë. Njerëzit na besojnë, na mbështesin, presin akoma më shumë, do ishte gabim i madh që ne ta merrnim këtë votë si kënaqësi. Pas një periudhe relativisht të gjatë në qeverisje prapë marrim këtë mbështetje sepse njerësit besojnë se ne mund t’i bëjmë ato gjëra, por ama nuk do të thotë se janë të kënaqur me ne.
Siç e patë kjo fushatë ishte aq sa lokale dhe kombëtare, është e rëndësishme të kuptojmë se njerëzve u kemi hyrë në një borxh shumë të madh duke u kërkuar votën dhe ajo që kemi marrë prej tyre është një sfidë shumë e madhe. Këta me të cilët Shqipëria ka problemin, edhe pse s’do e thonë kurrë ata e dinë që ne jemi zgjedhja më e mirë dhe kur u themi ne që duam të vazhdojmë punën për Durrësin, Shijakun, Krujën apo Shqipërinë. Ne jemi realisht të vetmit që mund ta bëjmë, por kjo s’do të thoë se kemi bërë më të mirën.”
Kreu i qeverisë nuk i kurseu lëvdatat për skuadrën e Partisë Socialiste në Durrës, e veçanërisht për kryetaren e sapozgjedhur të bashkisë Emirjana Sakon. Fitoren, ai ia atribuoi traditës që ka ekzistuar gjithmonë në këtë qytet, “begenisja e njerëzve”.
“Ne kemi shumë mësime për të nxjerrë që të mund ta meritojmë këtë besim dhe mbështetje. Ne e kemi këtu në Durrës modelin historik të suksesit që është begenisja e njerëzve, arsyeja pse ju fitoni dhe arsyeja pse juve nuk ua mbyll njeri derën është në radhë të parë se këtu është krijuar një traditë që njerëzit nuk lihen rrugëve, nuk u thuhet plaç dhe halli që nuk iu zgjidhet iu qahet. Kjo është merita kryesore e juaja dhe për këtë partia e Durrësit është model. Model që është sulmuar, përbaltur sepse nuk e kuptojnë, bëjnë sikur se kuptojnë se kur qëndron çelësi i suksesit.
Ju jeni një organizatë që i njihni gjithë votuesit me emër dhe mbiemër, e dini se ku i pikon çatia jo çdo njësie, por çdo shtëpie në çdo rrugicë dhe absolutisht bashkia s’ka mundur tua zgjidhë të gjitha problemet gjithë njerëzve, por ama ka treguar imtësisht hap pas hapi që çdo ditë bën diçka. E keni pasur gojën plot sepse Ani nuk ka bërë ndonjë mrekulli, por me atë natyrën e vet pa emocione nuk ka lënë mangët asgjë në raport me njerëzit që ditën e parë që ka marrë detyrën.
Të gjejmë mekanizma që bashkia të jetë më e hapur, të ndërtohen mekanizma që edhe për hallet e problemet të ketë seanca të hapura ku njerëzit të ndihen pjesë e një komuniteti. Nuk ka nevojë të bëhen anëtarë të PS të gjithë, por ama çdokush ta gjejë derën hapur te ne. S’ka rëndësi a votojnë për ne në fund fare, sepse edhe ata që nuk dolën të votojnë fare meritojnë respekt. Çdo të djathti duhet ti shtrijmë dorën, ne nuk e lëmë njëri tjetrin në baltë.”/tvklan.al