Rikthehen tensionet e forta në Veri mes Kosovës dhe Serbisë. Grupe qytetarësh serbë u përplasën ditën e djeshme me policinë e Kosovës e cila tha se po ndihmonte kryetarët e rinj të tre komunave të banuara me shumicë serbe në veriun e vendit, për të hyrë në zyrat e tyre. Nga ana e Kosovës ndërhyrja e policisë është legjitime ndërsa shtoi se sovraniteti dhe integriteti territorial i Republikës së Kosovës është i pacenueshëm, i patjetërsueshëm dhe i pandashëm. Serbia në vend që të ulte tensionet, provokoi dhe më shumë pasi Vuçiç vuri në gatishmëri ushtrinë. Për të shuar tensionet ndërhynë dhe ndërkombëtarët. Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian kanë dënuar ashpër situatën e krijuar në Veri. Kryeministri Kurti nuk u tërhoq edhe pas mesazheve të forta nga SHBA-BE. Gjithashtu nga ana tjetër Vuçiç dha dorëheqjen si kreu i partisë së tij dhe paralajmëroi mbledhjen e këshillit të sigurisë dhe kohë të errëta për Beogradin.
Detajet se çfarë ndodhi në Veri
Në një njoftim të policisë thuhet se pesë pjesëtarë të saj pësuan lëndime, ndërsa katër makina u dëmtuan gjatë përleshjeve. Rreth 10 persona kërkuan ndihmë mjekësore në një spital lokal duke u ankuar për lëndime të lehta dhe ndikimin e gazit lotsjellës. Sipas policisë janë dëgjuar edhe të shtëna me armë zjarri. Kryetarët e komunave në veri të Kosovës kanë arritur të futen në ndërtesat e komunave, të shoqëruar nga forcat policore. Nga mediat e Kosovës raportohet se pak minuta pasi ka hyrë kryetari i ri i Leposaviç, aty është vendosur flamuri i Kosovës. Lulzim Hetemi, i cili tashmë është kryetar i kësaj komune, ka hyrë në objektin komunal pas tensioneve. Policia e Kosovës arriti të shpërndajë turmën, dhe të mundësojë futjen e kryetarit Hetemi në komunë. Pak minuta para hyrjes së tij, pranë objektit të komunës janë dëgjuar të shtëna me kallashnikov.
Vuçiç bën gati ushtrinë