Ish-zv/ kryeministri Arben Ahmetaj është vetëm një hap larg qelisë së burgut. Nga suksesi si numri dy i qeverisë dhe pushtetit të fortë brenda PS-së tashmë deputeti socialist i ka të numëruara orët e lirisë. Por si arriti, Arben Ahmetaj deri këtu?
Në fillim të muajit mars, agjentët e BKH-së kryen kontrolle në banesën e partneres së ish-ministrit Arben Ahmetaj në Hamallaj dhe në banesën e ish-bashkëshortes së tij në Tiranë. Shtëpia në Hamallaj dhe një vilë në Palasë, që dyshohet se i përket ish-bashkëshortes së Ahmetajt, u vendosën nën sekuestro preventive nga Gjykata e Posaçme.
Ahmetaj është një nga personat më të akuzuar nga ana e opozitës, si i përfshirë në çështjen e inceneratorëve, për të cilën SPAK ka marrë disa të pandehur, mes tyre edhe ish-ministrin e Mjedisit, Lefter Koka dhe ish-deputetin e PS, Alqi Bllako.
Në korrik të vitit të kaluar, Ahmetaj u shkarkua nga posti i zv.kryeministrit dhe i ministrit për Rindërtimin, por nuk u emërua në asnjë pozicion tjetër brenda kabinetit Rama. Gjithashtu, ai nuk u konfirmua si drejtues politik i PS-së në Vlorë, pozicion që iu besua Blendi Klosit.
Denoncimet për inceneratorët janë pikënisja. SPAK mori në dorë disa padi duke hetuar për katër vepra penale, por në fund ra shpërdorimi i detyrës dhe mbetën tre akuza të tjera; pastrim parash, korrupsion dhe fshehje pasurie. Në datë 26 Qershor, Ahmetaj ishte në SPAK për të dhënë dëshminë e tij. Doli dhe nuk pranoi që të jepte detaje.
Të premten që lamë pas, në datë 7 Korrik SPAK i çoi Kuvendit kërkesën për arrestimin e deputetit socialist. Tre ditë heshtje. Informacioni nuk doli në media. Por socialistët ishin në dijeni. Padyshim edhe Edi Rama.
Gjatë kësaj kohe tema kryesore ishte dhuna në Krujë, dorëheqja e deputetit Rraja, shkarkimi i Bledi Çuçit dhe emërimi i Taulant Ballës. Nuk përjashtohet që temë e bisedës pesë orë ditën e shtunë mes Çuçit dhe Rrumbullakut të ketë qenë edhe kërkesa e SPAK-ut.
Sot u mblodh grupi i PS-së. Edi Rama nuk ishte i pranishëm. Ai shkoi në vilën qeveritare pranë Kuvendit. Gjatë ditës do të nisë drejt Presidentit dekretin për shkarkimin e Çuçit dhe emërimin e Ballës.
Grupi nën drejtim e Ballës u mblodh, por nuk kishte asnjë deklaratë më pas. Në qendër të bisedës ishte edhe kërkesa e SPAK-ut. Vetë Ahmetaj nuk ishte i pranishëm përballë kolegëve socialistë.
Janë thuajse zero shanset që Edi Rama të rrëzojë kërkesën e SPAK-ut për të arrestuar ish-ministrin, i cili mund të japë edhe dorëheqjen nga mandati sikur bëri Bllako dhe të shkojë me këmbët e tij në qeli duke u bashkuar me Kokën, Dakon dhe shumë socialistë të tjerë pas hekurave…