Me marrjen e detyrës së re, Ministri i Brendshëm, Taulant Balla, e ka vënë theksin, te ‘Lufta ndaj Kanabisit’.
Operacionet policore për të bërë zbulimin e kultivuesve, janë të përditshme dhe bashkë me to arrestimet, qoftë ndaj qytetarëve të thjeshtë, qoftë dhe nga persona të cilët kanë mbajtur një post në zyrat e shtetit.
Balla teksa përgëzon ‘blutë’, për vënien në pranga dhe të ish-kolegëve të tyre, shprehet se kjo ‘luftë’, ka për të sjellë sundimin e ligjit në një nivel tjetër.
Balla: Kur në adresimin e parë për Policinë e Shtetit thashë se një rrënjë e vetme kanabisi nuk ka shans të rritet, pa një polic që paguhet për të mos e parë apo se një parcelë kanabisi nuk ka një mundësi të vetme të korret, pa një shef komisariati që paguhet nga trafikantët për të mos e shkulur, kisha parasysh këtë që vetëm sa ka nisur sot. Policia e Shtetit po godet për shkuljen deri në fund të kultivimit të paligjshëm nga mendjet e atyre që gënjejnë veten se meqë sot ka më pak kanabis se dje, ne do të flemë mbi dafina! Sot bashkë me rrënjët e paligjshme janë shkulur edhe dy oficerë policie në Drejtorinë Vendore të Policisë në Lezhë, të cilët ishin në ortakëri me trafikantët. Ata tani janë në duart e drejtësisë. Përgëzoj Agjensinë e Mbikqyrjes Policore për dokumentimin e plotë të provave në kuadër të këtij procedimi penal dhe përfundimit të hetimeve në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë pranë Gjykatës Shkallës Parë të Juridiksionit Përgjithshëm Lezhë, ku bashkë me punonjësit e policisë është goditur edhe një grup kriminal.
Shpreh besimin se forcimi i bashkëpunimit mes agjencive ligjzbatuese dhe lufta e përbashkët për spastrimin e vatrave të krimit përballë dhe brenda vetë organizatës së Policisë së Shtetit, do ta çojë Shqipërinë në një tjetër nivel të sundimit të ligjit
Përgëzime dhe vetëm përpara!