“Të lëshon, nuk të mbron”, Rama: Ta dini mirë, flamurin e PS-së s’mund ta përdorni si letër higjienike

Kryeministri Edi Rama, gjatë fjalës së tij në asamblenë e PS-së, përcolli edhe një mesazh për zyrtarët. Duke iu referuar deklaratës se ‘Rama nuk të mbron por të lëshon’, ai tha se flamuri i PS-së nuk mund të përdoret si një letër higjienike ‘për të fshirë bajgat e korrupsionit me dorën e partisë’.

Rama shprehet se drejtësia e re duhet të ketë lirinë, fuqinë dhe pavarësinë për të goditur dhe ndëshkuar këdo, që pavarësisht postit që ka, të mos mbetet pa u ndëshkuar.

“Prandaj iu lutem ma dëgjoni shumë mirë këtë, ju edhe gjithë socialistët që janë shumë pak që qarkullojnë atë fjalën e neveritshme ‘Rama të lëshon dhe nuk të mbron’. Kam një përgjegjësi të madhe morale, më të madhen nga të gjithë ju padiskutim. Por a e dini se cila është përgjegjësia ime morale?

As të skuqem, as të kërkoj ndjesë dhe të zmbrapsem pse dikujt që i besoj një detyrë në frontin e betejave të përbashkëta sepse vetëm së bashku mund ta ngjisim Shqipërinë në atë majën ku e meritojnë fëmijët e gjithë shqiptarëve, i merr mendjen pushteti dhe paraja dhe tradhton jo vetëm besimin tim dhe tuajin por flamurin e të gjithë stërgjyshërve dhe bebeve të këtij vendi dhe të PS, të cilin pastaj sipas mendimit të mbrapshtë që qarkullon se Rama të lëshon, pasi njeri e ka përdorur flamurin e PS si maskë për të vjedhur ne të tjerët u dashka ta përdorim edhe si letër higjienike për t’ja fshirë bajgat e korrupsionit me dorën e partisë.

Jo, jo dhe jo. Përgjegjësia ime morale është që të mos lë dy gurë bashkë brenda kësaj familjeje politike dhe jashtë kësaj, që drejtësia në Shqipëri të ketë lirinë, pavarësinë dhe fuqinë që i duhet për ta ndëshkuar pavarësisht nga ngjyra apo madhësia çdo lloj këlyshi të atij soji të vjetër dhe të ulët politik që e ka mbajtur drejtësinë e këtij vendi si qen të lidhur me zinxhirin e pushteitt të politikës për 100 e kusur vjet me radhë.“, theksoi kryeministri Rama./abcnews.al