Emocionuese/ Mirlind Daku shpërthen në lot pas debutimit me Kombëtaren: Meritë e familjes, kemi luftuar për këtë moment

Në ndeshjen e përfunduar barazim 1-1 mes Cekisë dhe Shqipërisë, debutuan futbollistët e rinj të Kombëtares, mes të cilëve dhe Mirlind Daku.

Ky i fundit, pas përfundimit të ndeshjes, ka shpërthyer në lot, teksa po jepte një intervistë për SuperSport, lidhur me emocionet e tij gjatë ndeshjes dhe se si është përjetuar te familja e tij.

“Nuk e di, jam pa fjalë. Kur përfundoi ndeshja isha totalisht i emocionuar që arrita të debutoj me kombëtaren shqiptare. Për mua është arritje e madhe, për familjen time që kemi luftuar për të arritur këtë moment. (Nis të qajë).

Për këtë arsye luftojmë këtu, udhëtojmë 12 orë me avion me gjëra, vetëm për të bërë krenar popullin tonë, që me shumë sakrifica ka ardhur në këtë ditë. Kjo është më shumë se një Kupë Bote, kur sheh gjithë atë popull duke na përkrahur.

Lidhur me pasimin e fundit në një aksion i cili mund ti sillte dhe golin me vlerën e tri pikëve kuqezinjve, ai u shpreh se në atë moment mendoi të pasonte te Bajrami, kujtoi mos ishte në pozicion të parregullt.

Pasimi? Në rastin e parë mendova ta pasoja te Nedimi por në atë moment mendova që është jashtë loje e mendova t’ia jap Mujës. Nuk desh Zoti ta mbyllnim me atë aksion e shënonim. Dëshira ime ishte të shënonim por çfarë t’i bëjmë. Shpresoj që në ndeshjet e ardhshme të jemi më syhapur”, tha Daku.