Sot Shqipëri – Poloni/ Policia, VIDEO-MESAZH edhe në anglisht tifozerive: Bëni kujdes, jeni në monitorim! JA MASAT!

Policia e Shtetit ka hartuar një plan masash të detajuara për ndeshjen ndërkombëtare të futbollit mes Shqipërisë dhe Polonisë.

Në zbatim të planit të masave, punonjësit e Policisë së Shtetit do të ushtrojnë kontroll të imtësishëm ndaj tifozëve, para futjes në stadium, me qëllim parandalimin e futjes në stadium, të banderolave me përmbajtje raciste, të fishekzjarrëve, flakadanëve, lëndëve piroteknike monedha metalike, çadra, çakmak, karikues telefoni dhe sendeve të tjera të forta të rrezikshme për jetën dhe shëndetin e pjesëmarrësve.

Lidhur me këtë Policia e Shtetit i është drejtuar të dyja tifozerive me një video-mesazh edhe në gjuhën angleze ku i bën thirrje që të kenë kujdes sot:

https://www.facebook.com/watch/?v=257084837287369

Plani i masave parashikon detyrat që do të kryejnë të gjitha strukturat, me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë publike para, gjatë dhe pas zhvillimit të ndeshjes ndërkombëtare të futbollit ndërmjet ekipeve të Shqipërisë dhe Polonisë, që do të zhvillohet më datë 10 shtator 2023, në orën 20:45, në stadiumin “Air Albania”.

Duke u mbështetur në përvojën pozitive për planifikimin, organizimin dhe menaxhimin e situatës së rendit dhe sigurisë publike gjatë zhvillimit të ndeshjeve ndërkombëtare të futbollit.

Masat e marra nga Policia e Shtetit janë si më poshtë:

-Eskortimi dhe sigurimi i futbollistëve të ekipit të futbollit të Polonisë, nga aeroporti i Rinasit në hotel, në stadium dhe në kthim për në Rinas;

-Eskortimi dhe sigurimi i futbollistëve të ekipit të futbollit të Shqipërisë, në stadium;

-Kryerja e kontrollit të hollësishëm në mjediset e stadiumit dhe brenda stadiumit, për persona të paautorizuar, sende dhe lëndë të ndaluara, para se të futen tifozët;

-Organizimi i shërbimeve për garantimin e rendit publik para, gjatë dhe pas përfundimit të ndeshjes së futbollit, jo vetëm pranë stadiumit, por edhe kontrolli i territorit në të gjithë qytetin e Tiranës;

Sigurimi i rrugëkalimeve të shërbimeve të emergjencës;

-Menaxhimi i trafikut rrugor në qytetin e Tiranës, para, gjatë dhe pas ndeshjes së futbollit.

Për të garantuar sigurinë para, gjatë dhe pas zhvillimit të kësaj ndeshjeje ndërkombëtare, është bashkkëpunuar me të gjitha institucionet që kanë rol në mbarëvajtjen e këtij aktiviteti, ndër të cilët përmendim:

• Federatën Shqiptare të Futbollit;

• Policinë Bashkiake;

• Shërbimin Zjarrfikës;

• Shoqëritë private të sigurisë (stjuartët dhe personeli i sigurisë);

• Spitalet, qendrat shëndetësore dhe ato të ndihmës së parë.

-Gjithashtu, janë vendosur kontaktet dhe po bashkëpunohet edhe me personelin e shërbimit të sigurisë të ekipit të futbollit të Polonisë, në funksion të rritjes së standardeve të sigurisë para, gjatë dhe pas zhvillimit të kësaj ndeshjeje ndërkombëtare.

Për mbarëvajtjen e këtij aktiviteti, si dhe për të lehtësuar qarkullimin e automjeteve në qytetin e Tiranës, gjatë datës 10 shtator 2023, nga ora 15:00, deri në përfundim të ndeshjes, nga Policia e Shtetit, në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës, do të aplikohen kufizime të qarkullimit të mjeteve në disa akse rrugore në afërsi të stadiumit.