Gazetari i njohur zbulon detaje tronditëse nga masakra në Greqi: Ka patur përplasje mes bandave, një prej viktimave ishte me autorët

Gazetari Etmond Guri ka dhënë detaje në lidhje me masakrën në Greqi, ku mbetën të vrarë 6 persona me origjinë turke.

Në një intervistë, ai nënvizoi se autorët pasi kanë qëlluar njëherë mbi viktimat, kanë bërë një pauzë e më pas kanë qëlluar sërish në mënyrë që të siguroheshin që ata kanë humbur jetën.

Më tej ai tha se ngjarja mund të ketë ndodhur për larje hesapesh, ndërsa shtoi se një nga viktimat ishte rivalë i personave të tjerë të vdekur.

“Makina ishte me targa false. Ka pasur përplasje mes bandave, ishte një vepër shumë e rëndë që ka tronditur mbarë opinionin në Greqi. Autoritetet kanë qenë shumë të kujdesshëm në raportimin e ngjarjes. Mëngjesin e sotëm mediat kanë siguruar një material akustik ku dëgjohet shkëmbimi i zjarrit që është fiks si në filma. Në një moment ka një pauzë dhe më pas dëgjohen krisma, ku autorët duket se janë siguruar që viktimat kanë humbur jetën.

Ngjarja mund të ketë ndodhur për larje hesapesh për drogë. Ajo që dihet për momentin është se njëri nga personat që ka vdekur i përket grupit rivalë, kanë qenë dy trupa jashtë makine. Viktimat janë goditur në pjesën e krahërorit dhe në kokë”-tha ai.