Hapi 8 llogari false në rrjetet sociale duke përdorur emra të personave të tjerë, arrestohet 31-vjeçari në Elbasan

Një 31-vjeçar është arrestuar nga policia e Elbasanit, pasi hapi 8 llogari false në rrjetet sociale duke përdorur emra të personave të tjerë.

Në kuadër të operacionit policor të koduar ‘Kredencialet’, ua arrestuar A. T., 31 vjeç, banues në fshatin Shijon, Elbasan.

Sipas policisë rezultoi se 31-vjeçari, gjatë periudhës tetor 2022-shtator 2023, ka krijuar 8 llogari false, duke përdorur në kundërshtim me ligjin, të dhëna të shtetasve të tjerë.

Gjatë kontrollit në banesën e e tij, policia sekuestroi me cilësinë e provës materiale, 2 celularë nëpërmjet të cilëve ky shtetas menaxhonte llogaritë.

Njoftimi i policisë:

Finalizohet operacioni policor i koduar ”Kredencialet”, i zhvilluar nga Drejtoria për Hetimin e Krimit Kibernetik, e DPPSH-së, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Krimit Kibernetik, të DVP Elbasan.

Sekuestrohen 2 celularë me të cilët menaxhoheshin llogaritë.

Specialistët e Drejtorisë për Hetimin e Krimit Kibernetik, të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me ata të Seksionit për Hetimin e Krimit Kibernetik, të Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan, në vijim të një procedimi penal, të iniciuar në Prokurorinë e Elbasanit, për një rast të veprës penale “Falsifikimi kompjuterik”, finalizuan operacionin policor të koduar ”Kredencialet”.

Si rezultat i këtij operacioni u kap dhe u vu në pranga shtetasi A. T., 31 vjeç, banues në fshatin Shijon, Elbasan.
Nga veprimet hetimore rezultoi se 31-vjeçari, gjatë periudhës tetor 2022-shtator 2023, ka krijuar 8 llogari false, duke përdorur në kundërshtim me ligjin, të dhëna të shtetasve të tjerë.

Gjatë kontrollit në banesën e shtetasit A. T., Policia sekuestroi me cilësinë e provës materiale, 2 celularë nëpërmjet të cilëve ky shtetas menaxhonte llogaritë.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.