U dhunuan nga fisi Rraja, Prokuroria e Tiranës kërkon riekspertim mjeko-ligjor për Bilbil dhe Jashar Majën

Prokuroria e Tiranës ka kërkuar riekspertimin për kushërinjtë Bilbil dhe Jashar Maja, të dhunuar barbarisht në korrik të këtij viti me shkopa bejsbolli e qyta pistolete nga anëtarët e fisit Rraja, raporton Media Ditari.

Burime për Media Ditarin bëjnë me dije se në bazë të këtij urdhri, do të jenë 3 ekspertë të tjerë mjeko-ligjorë që do të bëjnë aktin e ekspertimit të ri, pasi aktekspertimi i parë nuk u pranua nga dy kushërinjtë e dhunuar, sepse dhuna barbare ishte cilësuar si plagosje e lehtë nga prokurori Ylli Basha.

Në aktekspertimin e parë, eksperit mjeko-ligjor Elton Serani, kishte deklaruar se kushërinjtë Maja nuk kishin patur rrezik për jetën, pavarësisht frakturave të shumta në kokë dhe trup, por goditjet kishin sjellë vetëm humbjen e përkohshme të aftësisë për punë. Por ky ekspertim solli reagime të shumta dhe zemërim në opinionin publik, pasi të gjithë i kanë parë pamjet e dhunës barbare ndaj Bilbil dhe Jashar Majës, pamje të cilat ishin shpërndarë nga vetë autorët e krimit.

Sot, djali i ish-deputetit socialist Rrahman Rraja dhe vëllai i tij janë ende në kërkim, ndërkohë që falë aktekspertimit të nxjerrë më herët, mund t’ia kishin hedhur vetëm me një gjobë, pavarësisht pamjeve ku shfaqeshin edhe me pistoletë në dorë.

Dy kusherinjtë kanë konfirmuar se nuk do bejnë ankim për ngjarjen në prokurori, duke çuar në dështimin e çështjes. Sipas tyre, çdo ankim i bërë në rrugë private nuk ka vlerë, pasi s’mund të jenë të mbrojtur nga kjo drejtesi dhe kjo polici.

Por aktekspertimi i ri mund të sjellë edhe ndryshimin e rrjedhjes së ngjarjeve, pasi në rast se faktohet që dy të dhunuaroit kanë rrezikuar jetën, atëherë edhe autorët do të përballen me akuza shumë më të rënda, duke rrezikuar disa vite burg, raporton Media Ditari.