Në burg për blerje votash, ministri i Brendshëm grek takohet me Fredi Belerin

Ministri i Brendshëm grek, Yannis Oikonomou ndodhet në burgun e Durrësit për të takuar Fredi Belerin. Vizita e ministrit grek vjen një ditë pas mbylljes së hetimeve dhe nisjes së dosjes për gjykim. Pas një seance që zgjati mbi 4 orë, gjykata vendosi që Beleri të gjykohet për akuzën e korrupsionit zgjedhor.

Gjithashtu për këtë çështje i pandehur është marrë edhe Pandeli Kokaveshi, i cili do të gjykohet në gjendje të lirë. Gjatë seancës paraprake, avokatët e Belerit kërkuan pushimin e çështjes dhe mos marrjen e parasysh provat e mbledhura, duke i konsideruar si të paligjshme. Por kjo kërkesë e tyre u rrëzua nga gjykata.

Për avokatët mbrojtës, vendimi ishte i pritshëm kjo për shkak se çështja është paragjykuar edhe politikisht. I pranishëm në seancë ishte edhe kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës që e konsideroi arrestimin e tij politikk, ndërsa kërkoi gjykim të zakonshëm për t’u ballafaquar me çdo provë të prokurorisë.

Fredi Beleri dhe Pandeli Kokaveshi u arrestuan 2 ditë para zgjedhjeve lokale të 14 majit, pas një hetimi të nisur nga Prokuroria e Vlorës me dyshimet se shtabi elektoral i kandidatit të koalicionit “Bashkë Fitojmë” po shpërndante para në këmbim të votave.