Ekzekutoi 2 vëllezërit Haxhialiu në Tiranë për borxh 207 mijë euro dhe i dënuar me burgim të përjetshëm, arrestohet pas 11 vitesh autori i krimit Eduart Kurti

Eduart Kurti, njri prej shtetasve më të kërkuar për t’u arrestuar nga Policia e Shtetit, u kap dje 11 vjet pas vrasjes së vëllezërve Iglent dhe Sokol Haxhialiu, 44 dhe 41 vjeç. 48-vjeçari nga Kruja u kap nga Forca e Posaçme e Operacioneve Speciale dhe Kërkimit në zonën e ish-Fushës së Aviacionit në Tiranë. Kurti është dënuar me burgim të përjetshëm për ekzekutimin e 2 vëllezërve Haxhialiu nga Berati, ngjarje e ndodhur mbrëmjen e 1 dhjetorit 2012 në zonën e Tiranës së re. Prej vitesh ai ka qenë një nga personat më të kërkuar për t’u kapur nga policia. Ngjarja e rëndë ndodhi për shkak të një borxhi të madh (afro 207 mijë euro) që viktimat nuk ia shlyen të plotë autorit të vrasjes së dyfishtë. Gjykata e Tiranës e ka shpallur fajtor prej vitesh 48-vjeçarin Kurti për veprën penale “vrasje me dashje”, në rrethana cilësuese. Ai konsiderohej nga Policia e Shtetit si person me rrezikshmëri të lartë.

Historia, vëllezërit Haxhialiu morën borxh 207 mijë euro nga Kurti

Më datë 31 gusht 2009, ndërmjet shtetasve Sokol (Nikola) Haxhialiu dhe Eduart Kurtit është përpiluar një deklaratë noteriale nëpërmjet së cilës pasqyrohet fakti se shtetasi Sokol i ka marrë shumën prej 60 mijë eurosh shtetasit Eduart dhe këtë shumë do t’ia kthejë deri më datë 31 dhjetor 2009. Gjithashtu, më datë 27 dhjetor 2011, ndërmjet shtetasve Iglent Haxhialiu dhe Eduart Kurti është përpiluar një deklaratë noteriale, nëpërmjet së cilës pasqyrohet fakti se shtetasi Iglent i ka marrë shumën prej 150 mijë dollarësh amerikanë (140.700 euro), si dhe 6 mijë euro shtetasit Eduart dhe këtë shumë do t’ia kthejë deri më datë 25 mars 2012. “Duke qenë se nga ana e shtetasve Sokol dhe Iglent Haxhialiu nuk u zbatuan kushtet e përshkruara në dy deklaratat noteriale, ndërmjet tyre dhe të pandehurit Eduart Kurti kanë lindur mosmarrëveshje. Në lidhje me këto mosmarrëveshje janë vënë në dijeni dhe familjarët e shtetasve Iglent Haxhialiu, Sokol Haxhialiu dhe Eduart Kurti,” thuhet në dosjen hetimore të Prokurorisë së Tiranës.

Ngjarja, Kurti dhe viktimat hipën në makinën e Sokolit, i vrau me 3 plumba

Vrasja ndodhi rreth orës 20:00 të 1 dhjetorit në bulevardin “Bajram Curri”, në vendin e quajtur ish-stacioni i fundit i Tiranës së Re, ose kryqëzimi ku lidhet me zonën e Selitës. Viktima dhe autorët e krimit udhëtonin në të njëjtën makinë, tip “Mazda”, ku dhe ndodhi vrasja. Makina ishte parkuar fare pranë një dyqani të një kompanie celulare. Sokol Haxhialiu 41 vjeç, drejtonte automjetin. Mendohet se para vrasjes mes viktimës dhe autorit ka pasur një debat për çështjen e borxhit. Kurti ka qenë i ulur në vendin e parë të pasagjerit, Sokoli në vendin e shoferit dhe Iglenti në sediljen e pasme. Fillimisht, i dyshuari Kurti ka qëlluar me pistoletë me silenciator me një plumb në kokë Iglentin. Pas kësaj ka qëlluar mbi Sokolin, kur ky i fundit ka tentuar të largohet. Në drejtim të tij është qëlluar dy herë në kokë dhe në qafë. Shoferi vdiq rrugës për në spital, kurse Eduart Kurti mundi të largohej.

U kap me 4 mina në Vlorë, i arrestuari nga Lezha: Më futën në kurth!

51-vjeçari nga Lezha, Petrit Ndoji, i cili u arrestua para disa ditësh në hyrje të Vlorës me 4 mina të telekomanduara gati për shpërthim, u la në burg nga Gjykata e Vlorës. I arrestuari, i cili akuzohet nga policia se po përgatitej të kryente një akt kriminal në kuadër grupi të strukturuar kriminal, ka refuzuar kategorikisht për grupin hetimor të ketë lidhje me këto materiale vrastare. Sipas avokatit të tij Gramoz Ismailaj, i cili foli për mediat pas ngjarjes, Ndoji pretendon se është viktimë e një kurthi të ngritur nga ndonjë agjent apo bashkëpunëtor policie. Ai shtoi se është agjent pasurish të paluajtshme dhe se dikush në Vorë i dha një qese me këto mina, pa e ditur vetë se ç’kishte brenda dhe do ta dërgonte në Ksamil. “Në seancë nuk ka bërë deklarim, por pranë hetuesve ka deklaruar se nuk ka lidhje me veprën që i atribuohet. Ai është agjent imobilar. I është ngritur kurth nga ndonjë agjent apo bashkëpunëtor i policisë. Nëpërmjet bashkëpunëtorit ka marrë qesen në Vorë, pa e ditur se ça kishte brenda, dhe do e çonte në Ksamil. Dhe thotë se s’ka lidhje me autorësinë e kësaj vepre”, tha avokati, Gramoz Ismailaj. Megjithatë, trupi gjykues caktoi masën “arrest me burg” për veprën penale “Mbajtja e armëve shpërthyese ose e lëndëve plasëse pa lejen e organeve kompetente shtetërore”. Në Vlorë janë arrestuar gjatë këtij viti disa persona me 5 mina të telekomanduara, duke ngritur dyshimet se po organizohet një grup kriminal për të goditur në këtë qytet, por deri më tani, nuk ka prova për të faktuar ekzistencën e ndonjë grupi kriminal.