Ish-ministri i Financave Arben Malaj tha në emisionin “Bilardo” se ish-kryeministri Fatos Nano ka qenë mbështetësi i tij kryesor dhe publik.
Malaj vlerëson te Nano si kryeministër faktin që u jepte mbështetje të pakushtëzuar ministrave të tij.
Duke u ndalur te gjendja e vështirë shëndetësore e Nanos, Malaj u shpreh: “Është moment emocional. E para i uroj me zemër një shërim të shpejtë dhe të plotë”. “Pasi arrita të promovohem në pjesën kombëtare, Nano ka qenë mbështetësi im kryesor dhe publik. Nano kishte një diçka të jashtëzakonshme që duhet vlerësuar, që ta jepte mbështetjen të pakushtëzuar. Asnjë ministër s’mund të jetë i suksesshëm nëse nuk e mbështet sinqerisht kryeministri i tij. Unë në atë ngarkesën e jashtëzakonshme të shpërbërjes së skemave piramidale, kam pasur mbështetje të plotë. E para ishte ekonomist, kuptonte çdo gjë shumë mirë, kishte vizion ku do shkonim dhe të delegonte autoritet maksimal. Nano ishte liberal, por kishte një gjë, që s’kishte këtë kujdes apo vetëkontroll për marrëdhëniet me mediat, herë bëhej marrëdhënie agresive, herë zbutej”, vijon Malaj.