“Marjanës doja t’i prisja kokën”! Top Channel zbardh dosjen e Dan Hutrës, detajet tronditëse nga deklarata

Gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha ka siguruar dosjen e Dan Hutrës, në të cilat rrëfehen detaje tronditëse nga vrasja e tre personave në vetëm pak minuta ditën e 1 marsit.

Ai është shprehur para grupit hetimor se personit me të cilën kishte lidhje intime, Marjana Gurakuqin donte t’i priste kokën me biçak që të mos tërhiqte vëmendje me zhurmën e armës. Nga kjo ngjarje 40-vjeçarja mbeti e plagosur, pasi në atë moment kishin hyrë persona të tjerë në biznesin e saj.

“Më datë 16.02.2023 Dani është liruar nga burgu dhe 3-4 ditë para se të dilte, Alketa ka lindur djalë për të cilin Dani ka dyshime që nuk është babai biologjik. Konkretisht më datë 26.02.2023 ka marrë një automjet me qira me targa AA53 1UK dhe 1 ditë para ngjarjes ka shkuar në qytetin e Kukësit ku ka marrë armën kallashnikov që e kishte fshehur prej disa vitesh. Më date 01.03.2023 ka shkuar në zonën e Astirit, tek dyqani i shtetases Marjana Gurakuqi të cilën e ka patur të dashur. Deklaron se Marjanës ka dashur t’i presë kokën me biçak sepse nëse do e vriste me armë zjarri do tërhiqte vëmendje dhe nuk do realizonte planin e tij deri në fund. Pasi ka shkuar te dyqani dhe ka nxjerrë biçakun ajo është vetëmbrojtur duke e goditur Danin me xham në dorën djathtë. Kur e ka goditur me biçak Marjanën, në dyqan është futur një person dhe ai instinktivisht është larguar nga dyqani. Biçaku dhe syzet i kanë rënë gjatë përleshjes me Marjanën. Sqaron se Marjanën donte ta vriste pasi ka patur marrëdhënie intime me të dhe kur ka dalë nga burgu herën e parë në vitin 2021 i ka dhënë Marjanës 80.000 euro për t’i ruajtur. Marjana pas disa kohësh e ka njoftuar se paratë i kishte gjetur bashkëshorti i saj dhe Danit i ka kthyer vetëm 2.300.000 lekë të rinj. Gjithashtu Dani pretendon se Marjana ka tentuar ta helmojë nëpërmjet ushqimit në burg gjatë kohës që vuante dënimin duke e tentuar te ushqimi me anë të shtetasit Vladimir Kurti, të cilin e ka pasur shok qelie në burg. Ai pretendon se e ka dëgjuar Vladimirin duke folur me Marjanën në telefon nga kabina e burgut dhe kjo ka qenë pikënisja e konfliktit me Vladimirin. Ata janë konfliktuar herë pas here dhe kanë ndryshuar qeli me njëri-tjetrin. Dani ka bërë disa përpjekje që të godiste shtetasin Vladimir Kurti në burg, por nuk ka mundur ta realizojë atë dhe i është shprehur Vladimirit se kur të dalë nga burgu “do i bëjë kurban një kokë. Pas përleshjes me Marjanën, shtetasi Dan Hutra është nisur drejt banesës së ish-vjehrrit të tij, Zaim Hysa”, shkruhet në dosje.