“Nuk më intereson se dënohem me burg përjetë. E planifikova gjithçka”- Dan Hutra tregon i qetë vrasjet: Disa fëmijë u trembën kur më panë, por u thashë se…

Gazetari i Panorama TV, Ervin Leka ka siguruar detaje të reja nga seanca gjyqësore e zhvilluar këtë të shtunë në gjykatën e Tiranës ku Dan Hutra u la në arrest me burg dhe u shpreh i papenduar për krimet e kryera më 1 mars.

Para trupës gjykuese, Hutra tha se i ka kryer të gjitha me vetëdije, ndërsa mohoi të ketë ushtruar dhunë ndaj ish bashkëjetueses së tij, Elena Hysa.

“I kam bërë të gjitha me vetëdije të plotë. Kur më dënuan për dhunë në familje më dënuan pa asnjë provë, ndaj i bëra të gjitha. I pranoj të gjitha dhe nuk jam i penduar. Etleva Kurtin e vrava se i vëllai deshi të më helmojë në burg.

I kam bërë të gjitha të menduara dhe nuk jam i penduar. Për të gjitha ngjarjet kisha motivet e mia”, mësohet të jetë shprehur qetësisht ai brenda kafazit me xhama.

Gjatë seancës, gjykata i ka kujtuar Hutrës, se për këto vepra penale ai rrezikon burgim të përjetshëm.

Ndërsa 41-vjeçari i është përgjigjur:

“S’më intereson kjo pjesë. Kisha planifikuar çdo gjë. Madje kur hyra në banesën e familjes Hysa pashë disa fëmije që kur më panë u trembën. I thashë të kalonin se nuk kisha asnjë punë me ta. I kërkoj sistemit të drejtësisë të mos dënojë persona të pafajshëm për të mos u përsëritur maskra të tilla”.