Shtohet misteri për luginën që merr gjak të rinjsh në Larisa, 2 aksidente të tjerë tragjik në të shkuarën te i njëjti vend ku u përplasën trenat (Video)

Aksidenti tragjik në Tempi të Larisas ku nga përplasja e dy trenave humbën jetën 57 njerëz dhe dhjetëra të tjerë janë zhdukur nuk është i vetmi në të njëjtin vend.

Mediat greke kanë rikthyer në vëmendje dy aksidente të tjerë në të kaluarën ku viktimat janë kryesisht të rinj, aq sa në rrjet kanë nisur të qarkullojnë edhe historitë konspirative sikur ky vend i mallkuar kërkon vetëm gjak të rinjsh. Le të shohim konkretisht.

4 tetor 1999

Në luginën e Tempit humbasin jetën 6 të rinj, tifozë të ekipit të PAOK që po ktheheshin në Selanik pasi ndoqën ndeshjen kundër Panathinaikos në Athinë. Autobusi i tyre pas përplasjes me një kamion del nga rruga duke iu marr jetën të rinjve.

Shumë të tjerë mbetën të plagosur.

13 pril 2003

21 nxënës të Liceut të Parë humbën jetën tragjikisht në të njëjtin vend. 9 të tjerë mbetën të plagosur.

Shoferi i një kamioni që transportonte melamina (lëndë drusore e presuar), u përplas kokë me kokë me autobusin e shkollës që transportonte nxënësit.

Aksidenti i tmerrshëm ndodhi në rrugën nacionale Larisa-Selanik. Sot në atë vend është ngritur një monument me fotot e 21 studentëve të vdekur.

28 shkurt 2023

Përplasja e dy trenave që shkaktoi 57 të vdekur, plagosi dhjetëra të tjerë dhe ku rezultojnë të zhdukur disa të tjerë, është padyshim më tragjikja ndonjëherë në Greqi. Mes viktimave dhe të zhdukurve janë gjithashtu edhe të rinj shqiptarë.

Është rrënqethës fakti se si në po të njëjtin vend ndodhin aksidente të tillë ku humbasin jetën kryesisht të rinj.

Mund të jetë mbase rastësi fatkeqe, por misteri mbetet sidoqoftë dhe askush s’di të thotë me saktësi pse pikërisht në këtë luginë?! ©argjirolajm.net