Motrat e autorit të masakrës së trefishtë i druhen hakmarrjes, kërkojnë mbrojtje nga policia. Zbardhet skeda e Dan Hutrës, dyshohet se babanë e tij e vrau…

NIKOLETA KOVAÇI/ Ajo çfarë ka mbetur të hetohet nga prokuroria dhe grupi i hetimit mbi sipërmarrjen monstruoze të Dan Hutrës është vetëm listimi i krimeve të panumërta që ai ka kryer që në moshë të re.

Nga sa është mësuar gjatë hetimeve bëhet me dije se aktivitetin e tij kriminal e ka nisur pa i mbushur 18 vjeç teksa ka vjedhur dy dele të një fshatari në fshatin e Kukësit në të cilin edhe jetonte. Më pas, ikja dhe ardhja në Durrës bashkë me familjen i ka dhënë hapësira më të mëdha të aktivitetit të tij kriminal, ndërkohë që ai ka nisur sërish me vjedhje, derisa ka kërkuar të abuzojë seksualisht me persona brenda familjes.

Është arrestuar dhe liruar me dhjetëra herë, ndërkohë që ai në fakt ka qëndruar vetëm 16 vjet në burg për vrasjen e një vajze me të cilën bashkëjetonte. Ekzekutimin e të resë aso kohe e bëri me thikë, armë të cilën e përdori edhe ditën e kryerjes së masakrave në Tiranë.

Mirëpo ndërkohë që Policia po punon për të zbuluar çdo aktivitet kriminal të vrasësit gjakftohtë të grave, pavarësisht se thotë që jam nisur të vras burra, në policinë e Tiranës kanë mbërritur motrat e tij të cilat kërkojnë mbrojtje pasi i druhen hakmarrjes. Ato kanë paraqitur kërkesë konkrete pasi pretendojnë se janë në rrezik bashkë me fëmijët e tyre, ndërkohë që në një reagim një kushëri i familjes Kurti, së cilës Hutra i vrau vajzën 31 vjeçe ka lajmëruar se për vrasjen e një femra kërkohen 7 persona të vrarë.

VRASJA E TË ATIT

Fakti që mbeti mister në fakt lidhej me atë se përse donte të vriste një fqinjin e tij për të cilin tha se po qëndronte në kodër mes Sharrës dhe Vaqarrit orë pasi kishte kryer krimet. Në polici ai tregoi se ai person kishte dhënë armën një personi për t`i vrarë babanë, ngjarje e ndodhur, sipas të dhënave 24 vjet më parë. Kështu krimet për familjen Hutra kanë nisur herët që me vrasjen në banesë të kryefamiljarit, babait të Dan Hutrës, nga nipi i tij në vitin në 1999.

Edhe pse shumë vite më parë, thuhet se sherri mes Hutrajve nisi për një kalë, në prani të familjarëve të tyre, në periferi të Durrësit, aty ku sapo ishin vendosur pas largimit nga fshati i Kukësit. Atëkohë, Dan Hutra ishte as 18 vjeç, dhe familja ishte e bashkuar, tri motra dhe tre vëllezër. Pas kësaj ngjarjeje, ndryshoi gjithçka, dhe Hutra në 2003 u ekspozua me krimin e përdhunimit, për të cilin u arrestua nga policia e Devollit. Aktualisht autori i masakrës me 3 gra të vrara dhe 3 të plagosura, 5 herë i arrestuar dhe me rreth 17 vite burg, për vrasje, përdhunime e vjedhje, ndodhet në qelitë e sigurisë së lartë tek burgu 302, i izoluar më vete dhe në masa të larta sigurie.

Nga ana tjetër tre motrat e martuara e me fëmijë, i kërkojnë policisë të mbrohen, nga frika e hakmarrjes, edhe pse ato kanë pretendua se prej kohësh nuk kishin kontakte me vëllanë. Një ditë pas ngjarjes, xhaxhai i Etleva Kurtit që Dan Hutra vrau në derë të shtëpisë, kërcënoi se me kodin e gjakmarrjes; një grua e vrarë lahet me 7 meshkujt të vrarë nga ana e hasmit. Ende nuk është marrë një vendim nëse Hutra do t’i nënshtrohet një ekspertizë për të përcaktuar gjendjen e tij mendore, pasi deri në këto momente për hetuesit nuk duket se ka probleme të kësaj natyre. Vetë 41-vjeçari nuk i ka mohuar vrasjet e Mevlute Hysës, Hasime Dafkut dhe Etleva Kurtit, madje ka dhënë edhe detaje për ngjarjet dhe faktin që ai i kishte përgatitur listën e personave që do të vriste prej kohësh.