Çfarë po ndodh në Itali? Dhjetëra lëkundje toke, qindra vetë kalojnë natën jashtë

Dhjetëra lëkundje toke që kulmuan me një tërmet të magnitudës 4.4 tronditën zonat qendrore të Italisë, sidomos qytetin e Perugias.

Raportet e Qendrës Mesdhetare Europiane të Sizmiologjisë treguan se epiqendra e tij ishte në qytetin e Umbertide. Të përfshirë nga paniku, banorët nxituan të dilnin nëpër rrugë e një pjesë e tyre nuk guxuan të kthehen në shtëpi për orë të tëra.

Një sërë ndërtesash në rajon, përfshirë shkolla e spitale u kontrolluan për dëme, por përpos kësaj nuk pati raporte për situata emergjence.

Në këtë pjesë të vendit, frika e lëkundjeve të tokës amplifikohet nga kujtimet ende të pranishme të tërmetit të magnitudës 6 sipas shkallës Rihter, që goditi rajonin gushtin e vitit 2016, duke marrë gati 300 jetë njerëzish. Asokohe, shkundja e dhunshme e tokës erdhi rreth orës 3:30 të mëngjesit e më pas pati pasgoditje të shumta.

Kreu i agjencisë italiane të Mbrotjes Civile Fabrizio Curcio, qe shprehur në atë rast se “tërmeti kishte një forcë dhe thellësi të tillë goditjeje, sa ishte e pashmangshme që të shkaktonte shembjen e ndërtesave e për pasojë, vdekjen.

Zonat e goditura më rëndë ishin ato të Amatriçes dhe Accumolit.