“BMW”-ja e djegur dhe tre automatikë, Policia: Autorët e “Don Boskos” e dogjën makinën në Ishëm, gjetëm dhe armët

Makina e autorëve të vrasjes së mbrëmshme në zonën e Don Boskos në Tiranë, është gjetur e djegur në territorin e komunës Ishëm, në fshatin Likmetaj. Policia njofton se brenda “BMW” së djegur janë gjetur dhe tre armë zjarri automatike.

Banakierja Mimoza Paja mbeti e vdekur nga breshëria e plumbave, ndërsa gjashtë shtetas të tjerë u plagosën. Gjithashtu, mbesa 10 vjeçare e Mimoza Pajës u lëndua nga ciflat e xhamave që u thyen nga breshëria e plumbave.

Tre armët automatike të gjetura në makinën e djegur tregojnë për natyrën e kësaj ngjarje dhe egërsinë e autorëve, të cilët hapën zjarr nga rruga pa marrë parasysh se kush ndodhej brenda në lokal. Biznesi rezulton se është në pronësi të shtetasit Fation Murati, i skeduar nga Policia dhe i dyshuar si i përfshirë në disa ngjarje kriminale.

Durrës/Informacion paraprak

Rreth orës 08:00, në vendin e quajtur “Ura e Sulë Meres”, në territorin e fshatit Likmetaj, shërbimet e Policisë të Stacionit të Policisë Manzë, duke ushtruar kontroll në territor, për kapjen e autorëve të ngjarjes së ndodhur mbrëmjen e djeshme, në rrugën “Ananstas Shundi”, Don Bosko, Tiranë, kanë konstatuar të djegur plotësisht, një automjet tip “BMW”, brenda të cilit janë gjetur 3 armë zjarri automatike.

Nga hetimet paraprake dyshohet se ky automjet është përdorur për kryerjen e ngjarjes së mbrëmshme, në rrugën “Ananstas Shundi”, Don Bosko, Tiranë.

Grupi i posaçëm hetimor i ngritur në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, me qëllim zbardhjen e kësaj ngjarjeje, identifikimin dhe kapjen e autorëve, vijon punën në bashkëpunim me specialistët e Institutit të Policisë Shkencore, për të dokumentuar lidhjen e automjetit të djegur, me ngjarjen e ndodhur mbrëmjen e djeshme, në Tiranë.