Atentati në Don Bosko, policia zbardh dinamikën. Vendoset shpërblim 20 mijë euro për qytetarët që japin informacion mbi autorët

Policia e Shtetit ka vendosur shpërblim 20 mijë euro për qytetarët që japin informacion mbi autorët e atentatit në Don Bosko që tronditi kryeqytetin mbrëmjen e 12 marsit. Në një njoftim për mediat, bëhet me dije se policia ka sekuestruar prova të vlefshme për hetimin, në vendin e ngjarjes si dhe në automjetin e gjetur të djegur.

Rezulton se mjeti tip BMW, seria 5, (525) me ngjyrë gri, i cili u gjet i djegur, ishte vjedhur gjatë natës më datë 14.03.2021, në lagjen nr 13 Durrës.

“Më datë 13.03.2023, është rikqyrur vendi i ngjarjes, ku janë gjetur dhe sekuestruar edhe disa prova të tjera të vlefshme për hetimin.

Po më datë 13.03.2023, në orët e para të mëngjesit, në vendin e qujatur “Ura e Sul Meres”, në territorin e fshatit Likmetaj, strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, kanë konstatuar një automjet të djegur, brenda të cilit janë gjetur 3 armë zjarri automatike.

Grupi hetimor ka kqyrur automjetin e djegur dhe ka sekuestruar disa prova të vlefshme për hetimin. Nga verifikimi i numrit të shasisë së automjetit rezulton se ky mjet tip BMW, seria 5, (525) me ngjyrë gri, ishte vjedhur gjatë natës më datë 14.03.2021, në lagjen nr 13 Durrës”, tha Policia.

Njoftimi nga Policia Tiranë

Në lidhje me ngjarjen e ndodhur mbrëmjen e djeshme në Don Bosko, ju informojmë se:

Më datë 12.03.2023, rreth orës 21:05, në rrugën “Anastas Shundi”, në drejtim të lokalit në pronësi të shtetasit F. M., është qëlluar me armë zjarri automatike dhe për pasojë ka mbetur e vrarë shtetasja Mimoza Paja, 58 vjeçe, e cila ishte e punësuar si banakiere, si dhe janë plagosur 5 shtetas, 3 prej të cilëve vazhdojnë të jenë në spitalin e Traumës duke marrë ndihmë mjeksore.