Masakra në Don Bosko, Klodiana Lala zbardh detaje të reja: Bilanci mund të ishte më i rëndë, Fation Murati iku në Turqi, u largua përmes…

Detaje të shumta kanë dalë në dritë për aktivitetin e Fatjon Muratit, në lokalin e të cilit u vra një 58-vjeçare dhe u plagosën pesë persona të tjerë, pasi persona të armatosur hapën zjarr.

Gazetarja Klodiana Lala deklaroi ditën e sotme teksa ishte e ftuar në ‘News24’ se Murati dhe miqtë e tij ruheshin, kjo pasi kishin përplasje të forta me ish-bosin e lojërave të fatit Ervis Martinaj. Më tej, ajo deklaron se ka dyshime se Fation Murati të jetë larguar nga Prishtina drejt Turqisë.

“Ka dyshime që Fation Murati është larguar përmes Prishtinës në drejtim të Turqisë. Ai lokal mund të ishte edhe më i populluar dhe mund të kishte edhe viktima të tjera. Bilanci mund të ishte edhe më i rëndë.

Fation Murati dhe miqtë e tij sigurisht që ruheshin, sepse grupi kishte përplasje të forta me Ervis Martinaj. E dimë që Ervis Martinaj humbi 13 miq të vrarë. Policia është duke hetuar këtë pistë të përplasjeve sepse kishte disa aleanca dhe grupime. Për sa kohë nuk është hetuar çfarë mund të pritet? Ishte një revansh ndaj grupit dhe vetë Ervis Martinaj.

Por sa kohë një prokurori heton një ngjarje dhe njëra një tjetër atëherë do përballemi me situata të tilla”, tha Klodiana Lala.

Masakra ndodhi një natë më parë në Don Bosko. Dy persona qëlluan me breshëri plumbash në drejtim të lokalit të Fatjon Muratit duke lënë të vdekur banakieren Mimoza Paja, 60 vjeçe dhe pesë të tjerë të plagosur, mes tyre dhe një vajzë 10-vjeçare që u dëmtua nga xhamat e thyer.

Të plagosurit e tjerë janë Sahit Murati (xhaxhai i Fatjon Muratit), Astrit Meraj, Emanuel Sala, Ermir Bejuku, Genc Shohalli, të gjithë jashtë rrezikut për jetën.

Murati vetë ndodhej jashtë Shqipërisë në momentin që u krye atentati. Ai është i njohur në botën e krimit dhe si miku i ngushtë i Endrit Dokles, madje është marrë në pyetje për masakrën e Fushë Krujës, ku mbeti i vrarë Brilant Martinaj me dy miqtë e tij.