Spektakël dhe me shpejtësi “skëterrë” në mes të Tiranës, policia aksion të fuqishëm, e pësojnë keq 70 drejtues mjetesh

Policia e Tiranës ka nisur një aksion për identifikimin dhe gjobitjen e shoferëve që shkelin normat e shpejtësisë.

Gjatë aksionit janë proceduar rreth 70 drejtues mjetesh, disa prej të cilëve jaën kapur duke lëvizur me shpejtësi deri në 177 km/h, me gjoba që varjojnë nga 100 deri në 400 mijë lekë të vjetra.

Angazhimi i policisë vjen vetëm pak ditë pas aksident tragjik në dalje të Tiranës, ku për shkak të shpejtësisë së lartë humbën jetën një djalë dhe dy vajza të reja.

Në funksion të kontrolleve parandaluese, efektivët e Komisariatit Rajonal të Policisë Rrugore Tiranë kanë shtuar kontrollet në rrugët urbane dhe interurbane kryesore, me risk për aksidente rrugore, për shkak të mosrregullimit të shpejtësisë, kryesisht në qendrat e banuara dhe në afersi të vendkalimeve të këmbësorëve.

Si rezultat i kontrolleve me patrulla dhe mjete civile, të alternuara me shërbime të tjera të uniformuara, gjatë ditëve të fundit janë konstatuar dhe proceduar 70 drejtues mjetesh, për mosrregullim shpejtësie dhe për gara shpejtësie.

Gjithashtu, duke konsideruar impaktin negativ që shumë të rinj japin në rrjetet sociale, duke publikuar shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor, kryesisht shpejtësitë mbi normat e lejuara, garat e shpejtësisë dhe përdorimin e celularit, po vijon puna për identifikimin dhe procedimin e tyre, sipas shkeljeve të kryera.

Policia Rrugore e Tiranës apelon për drejtuesit e automjeteve që të zbatojnë me rigorozitet rregullat e qarkullimit rrugor dhe apelon gjithashtu për ndalimin e publikimeve që kanë karakter joedukativ për sigurinë rrugore