Si u vu në pranga shefi i stërvitjes së RENEA-s, iu gjetën në makinë rreth 126 mijë euro

Një efektiv i Forcave Speciale RENEA është vënë në pranga nga Policia, pasi në një makinë luksoze me të cilën ai udhëtonte janë gjetur një shumë e madhe parash. Efektivi i RENEA-s, Altin Morina, është prangosur gjatë mesditës së djeshme dhe akuzohet për pastrim të produkteve të veprës penale.

Të dhënat i ka bërë me dije Policia e Tiranës, e cila tregoi se për këtë person kishin marrë informacione nga banorë të zonës, por në fakt janë të dhëna të tjera që tregojnë se në mjet me të ka qenë edhe një person tjetër i dyshuar për një akt të rëndë kriminal, por Policia nuk bëri me dije nëse në mjetin luksoz të shefit të RENEA-s të kishte qenë kush tjetër veç se ajo qese me para. Referuar të dhënave konfidenciale bëhet me dije se Morina rezulton i arrestuar edhe në janarin e vitit 2015 në Tiranë, në kohën kur ai ishte punonjës në një lokal nate.

Por më pas Altin Morina jo vetëm është shpallur i pafajshëm, por madje ai është kthyer në polici dhe madje vitin e kaluar ka qenë edhe shef komisariati në Mallakastër. Sipas të dhënave i prangosuri i djeshëm në kohën e arrestimit ka qenë efektiv i FNSH-së, ndërsa për arrestimin e djeshëm Policia i ka ngritur akuzat e shpërdorimit të detyrës dhe pastrimin e parave.

Policia tha se mesditën e djeshme, falë inteligjencës informative se një shtetas (punonjës police), qarkullonte me automjet tip ‘Audi’ dhe kishte me vete sasi të konsiderueshme parash, menjëherë shërbimet e Forcës së Posaçme ‘Shqiponja’, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar ‘Fast’.

Në kuadër të këtij operacioni, te Kodra e Diellit, shërbimet e Forcës së Posaçme Shqiponja kanë konstatuar dhe shoqëruar në ambientet e DVP Tiranë automjetin e dyshuar së bashku me drejtuesin e tij shtetasin A. M., 43 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë Shef i Stërvitjes te Reparti Special, Renea. Gjatë kontrollit dhe kryerjes së automjetit rezultoi se në sediljen e pasagjerit, në vendin e parë të automjetit, ndodhej një qese plastmasi brenda të cilës kishte lekë, euro dhe paund. Nga numërimi rezultoi se në qesen e plastmasit kishte rreth 113 mijë euro, rreth 290.00 lekë të rinj dhe 80 paund, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.