“Po shihja portalet, i lutesha zotit për mbesën”, flet djali i viktimës në “Don Bosko”: Mami nuk ishte në punë

Katër ditë më parë plumbat e grupeve kriminale i morën jetën Mimozës së pafajshme. Ngjarja e rëndë ndodhi në rrugën “Anastas Shundi” në lagjen e “Don Boskos.”

Persona ende të paidentifikuar derdhën breshërinë e plumbave në drejtim të loklait të Fation Muratit. Viktimë mbeti Mimoza Paja, 58 vjeç, ndërsa 5 persona të tjerë u plagosën. E plagosur nga ciflat e xhamave mbeti gjithashtu mbesa 10-vjeçare e viktimës.

Katër ditë pas tragjedisë, djali i Mimozës, Sajmiri ka treguar se në momentin që ka ndodhur vrasja, nëna e tij, Mimoza nuk ka qenë në orar pune te lokali i Fation Muratit, por kishte shkuar për të marrë një kafe, pasi nuk donte që të rrinte në shtëpi.

“Di që në atë lloj ore nuk ka qenë aty, thjesht ka qenë duke dalë për të marrë një kafe për vete se e konsumon shumë, e pëlqente. Nuk donte të rrinte vetëm në shtëpi, shkonte vinte, dilte”, ka rrëfyer Sajmiri.

Në momentin që ka ndodhur ngjarja, Sajmiri nuk ka qenë në shtëpi. Lajmin për të shtënat me armë në lokal e ka marrë nga një telefonatë që i bëri kunati i tij, e ndërsa me vrap është nisur në vendngjarje! Gjatë kësaj kohe, rrugës, ka lexuar me shpejtësi atë se çfarë kishin shkruar mediat dhe nga aty mësoi se “nëna e tij kishte mbaruar”, siç vetë rrëfen, e ndërsa lutej që mbesa e vogël 10-vjeçare edhe ajo e lënduar nga ciflat e xhamit si pasojë e breshërive të kallashnikovit, të ishte mirë.

“Unë në ato momente sapo kisha ardhur, 10 minuta kisha sjellë njerëzit këtu. Shkova se kisha punën time, thjesht isha ulur në lokal duke pirë kafe. Më bie telefoni nga kunati, nga dhëndri im banon këtu afër meje, tha: Hajde se ndodhi kjo që ka ndodhur. Gjatë rrugës po shihja portalet, e vetmja gjë që më shkoi në mendje i lutesha zotit, ishte mbesa, pjesa më e madhe sa e mora vesh që kishte mbaruar… (qan)”, rrëfehet ai