EMRI/ Iu fut trafikut të drogës për të shlyer borxhet, dënohet i riu shqiptar në Britani!

Një i ri shqiptar ka rënë në prangat e policisë, pasi ishte i përfshirë në trafikun e narkotikëve. 25-vjeçari Erion Hoxha, kishte hyrë në rrugë ilegale në Britani dhe ishte bërë pjesë organizatave që transportonin drogë, për të shlyer borxhin që kishte ndaj trafikantëve që e sollën në Mbretërinë e Bashkuar.

Në momentin kur u ndalua nga policia, 25-vjeçari ishte duke lëvizur me një “Audi” përgjatë Bramford Road në Ipswich. Por në momentin kur është ndaluar, ai ka kundërshtuar dhe ka sulmuar oficerët, duke i shkaktuar njërit prej tyre prerje në dorë.

Gjatë kontrollit në makinë iu gjet kokainë, një patentë drejtimi greke, një telefon celular dhe 285 paund. Në telefonin e tij autoritetet arritën të zbulonin bisedat që kryenin lidhur me transportimin e kokainës. Gjithashtu edhe gjatë kontrollit në banesë iu gjet nga autoritetet sërish lëndë narkotike, kokainë.

Mesazhet në telefon tregonin se një ditë para arrestimit të Hoxhës, 26 klientëve u ishte dorëzuar kokaina me një vlerë totale prej 1530 £. Sakaq 25-vjeçari shqiptar është dënuar me 28 muaj burg për trafik droge në Ipswich.