Gjykata e Posaçme lë në burg kryetarin, n/kryetaren dhe zyrtarët e bashkisë Bulqizë

Gjykata e Posaçme ka lënë në burg pa afat kryetarin e bashkisë së Bulqizës, Lefter Alla që u njoh sot me masën e sigurisë. Ai e cilësoi arrestimin politik me qëllim që të mos rikandidonte për një tjetër mandat.

Por Prokuroria e Posaçme ka siguruar përgjime ambientale që rëndojnë pozitat e kryebashkiakut të Bulqizës, Lefter Alla.

Përmes këtyre përgjimeve, SPAK ka provuar se Alla ka pasur kontakte dhe komunikime me biznesmenim Aqif Konesha i kompanisë që kryente punimet për ujësjellësin e Bulqizës.

Gjithashtu, kryebashkiaku i Bulqizës, në shoqëri të Koneshës ka udhëtuar jashtë vendit me makinë, dyshohet në drejtim të Maqedonisë së Veriut.

Zëvendëskryetarja e bashkisë Bulqizë, Enkeleda Lleshi e cila po ashtu u la në burg kishte dhënë më herët dorëheqje nga detyra pasi nuk donte të bëhej palë në firmosjen e tenderave, por është bindur që të rikthehet.

Ndërkohë që njëri prej personave që ishte raportuar nga SPAK si veprim i ekzekutuar për arrestimin nga policia, në fakt nuk ishte kështu.

Leonard Daçi, sekretar i përgjithshëm, anëtar i Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, u paraqit befas në GJKKO rreth 2 orë pas nisjes së seancës.

Ai erdhi i shoqëruar nga avokati Arben Peci, ku trokiti në dyert e sallës duke vënë në dijeni trupën gjykuese se ishte një nga të pandehurit e dosjes dhe ndaj tij ishte marrë në mungesë masa e sigurisë “arrest me burg”.

Ai ka bërë me dije se ishte në banesë, teksa dëgjoi emrin e tij që përmendej në media si një nga të arrestuarit.