U arrestua tetë ditë pasi lindi foshnjën/ Nëna lehonë flet për herë të parë pas lirimit nga burgu

Diana Bahçja, lehona e cila u arrestua duke e lënë foshnjën 8-ditëshe në shtëpi, tashmë është liruar nga burgu.

Në një intervistë ekskluzive për “Review” në Euronews Albania 25-vjeçarja tha se ndihet e trishtuar dhe nuk e priste të ndodhte një ngjarje e tillë.

“Policia ka ardhur në shtëpi. Më ka kërkuar të shkoj, të bëj një deklaratë, s’më kanë thënë për arrestim.

Nuk kam qenë farë në dijeni që ka pasur një vendim nga gjykata. Pasi kam shkuar në komisariat jam vënë në dijeni pas 3 orësh,” – tregoi e reja.

Gjykata e shkallës së parë në Tiranë i ka vendosur një gjobë në vitin 2020 prej 2 milionë e 500 mijë lekë të vjetër, duke ia konvertuar në 50 ditë burg.

Arsyeja e gjobës është braktisja e fëmijës që Diana ka nga martesa e parë.