Aksident i rëndë, makinat përplasen “kokë më kokë”

Një aksident i rëndë ka ndodhur në aksin nacional Berat-Dimal, në vendin e quajtur “Ura e Moravës”.

Mësohet se dy makina janë përplasur “kokë më kokë” me njëra-tjetrën dhe njëra nga mjetet ka përfunduar në anë të barrierës duke rrezikuar të përfundonte në kanalin e mbushur me ujë.

Mjeti tip BMW, ishte duke qarkulluar nga Dimali për Berat dhe mjeti tjetër tip Wolsvagen, ka qenë duke qarkulluar në krah të kundërt, nga Berati në drejtim të Dimalit.

Si pasojë e aksidentit janë plagosur të dy drejtuesit e mjeteve, të cilët janë transportuar me urgjencë drejt Spitalit Rajonal të Beratit, ku ndodhen me plagë të shumta nën kujdesin e mjekëve.

Në vendngjarje kanë mbërritur forca të shumta policie ,që janë duke kryer kqyrjen e vendit të ngjarjes.

Burimet e para policore në vendngjarje pohojnë se shkak për aksidentin mendohet të kenë qenë mungesa e ndriçimit dhe lagështira në rrugë, kjo e fundit mendohet të ketë sjellë rrëshqitjen e të dy mjeteve gjatë frenimit në kthesë dhe përplasjen e tyre.