Berisha në Shkodër, ceremoni përkujtimore për dëshmorët e 2 prillit

Ish-kryeministri Sali Berisha ndodhet sot në Shkodër, ku është zhvilluar një ceremoni përkujtimore për dëshmorët e 2 prillit të 1991.

Në ceremoni është mbajtur një minut heshtje në nderim të katër dëshmorëve që humbën jetën në protestë. Pjesmarrës në këtë ceremoni bashkë me Berishën ishte dhe kreu i bashkisë së Shkodrës, Bardh Spahia.

Si sot 32 vite më parë, më 2 prill 1991, ndodhi një ngjarje që tronditi Shkodrën. Sot përkujtohet ajo që njihet ndryshe masakra e fundit e Komunizmit në Shqipëri.

Zgjedhjet e para pluraliste të 31 marsit 1991, u fituan nga Partia e Punës. Por ky rezultat u prit me zhgënjim të madh dhe revoltë, veçanërisht në Shkodër, kryeqendrën e veriut dhe një ndër qytetet me të goditura nga diktatura, gjatë regjimit gjysmëshekullor mono-partiak. Të bindur se zgjedhjet ishin manipuluar nga Partia e Punës dhe Sigurimi i Shtetit, mbështetësit e PD vendosën të mbajnë në datën 2 prill një protestë në sheshin përballë Komitetit të Partisë së Punës në Shkodër.

Protesta nisi rreth orës 8.00 të mëngjesit. Situata u agravua dhe nisën përplasjes mes protestuesve dhe forcave speciale. Në orën 8.15 u raportua vdekja e protestuesit të parë, Bujar Bishanaku. Ndërkohë në orën 08:45, u vranë Nazmi Kryeziu dhe Arben Broci, ky i fundit një figurë e njohur e lëvizjes studentore që solli pluralizimin. Ndërkohë rreth orës 10:00, u qëllua për vdekje edhe Besnik Ceka.