Të shpallur në kërkim për trafikim droge e vjedhje, 3 të ekstraduar në Shqipëri nga Italia dhe Greqia (Emrat)

Tre persona të shpallur në kërkim për ndërkombëtar për drogë, vjedhje dhe dhunë janë ekstraduar në Shqipëri nga Greqia dhe Italia.

Bëhet me dije se është ekstraduar nga Italia shtetasi Ilir Duro 51 vjeç. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar për veprat penale ‘’Prodhimi dhe shitja e narkotikëve’’, ‘’Grupi i strukturuar kriminal’’ dhe ‘’Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal’’. Shtetasi I. D. dyshohet se ka qenë pjesë e një grupi kriminal që merrej me transportimin, shitjen dhe trafikimin e lëndëve narkotike.

Po ashtu nga Italia është ekstraduar shtetasi Lusi Shkira, 21 vjeç, banues në Pogradec. 21-vjeçari, më datë 13.09.2021, ka tentuar të trafikojë lëndë narkotike nga Shqipëria drejt Maqedonisë së Veriut.

Nga Greqia është ekstraduar shtetasi Paulin Peci, 30 vjeç, banues në Përmet. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Përmet i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Vjedhja me dhunë”, kryer në bashkëpunim.

Njoftimi i policisë:

Ekstradohen nga Italia dhe nga Greqia, drejt Shqipërisë, 3 shtetas të shpallur në kërkim ndërkombëtar, 2 prej tyre për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve dhe shtetasi tjetër për vjedhje me dhunë.

Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tiranës me homologët, për lokalizimin, kapjen dhe ekstradimin e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar, janë ekstraduar nga Italia dhe nga Greqia, drejt vendit tonë, 3 shtetas të shpallur në kërkim ndërkombëtar, konkretisht:

-Si rezultat i bashkëpunimit me Interpol Romën, u ekstradua nga Italia drejt Shqipërisë, shtetasi shqiptar I. D., 51 vjeç. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga ZQK Interpol Tirana, pasi Gjykata kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale ‘’Prodhimi dhe shitja e narkotikëve’’, ‘’Grupi i strukturuar kriminal’’ dhe ‘’Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal’’. Shtetasi I. D. dyshohet se ka qenë pjesë e një grupi kriminal që merrej me transportimin, shitjen dhe trafikimin e lëndëve narkotike.

-Gjithashtu si rezultat i bashkëpunimit mes Interpol Tiranës dhe Interpol Romës, u bë ekstradimi nga Italia drejt vendit tonë, i shtetasit të shpallur në kërkim ndërkombëtar L. Sh., 21 vjeç, banues në Pogradec, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Pogradec i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”. 21-vjeçari, më datë 13.09.2021, ka tentuar të trafikojë lëndë narkotike nga Shqipëria drejt Maqedonisë së Veriut.

-Në vijim, si rezultat i bashkëpunimit me Interpol Athinën, u ekstradua nga Greqia drejt vendit tonë, shtetasi shqiptar P. P., 30 vjeç, banues në Përmet. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Përmet i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Vjedhja me dhunë”, kryer në bashkëpunim.