Avioni i nisur për në Londër bën kthim “emergjent”, pasagjeri i shkul flokët stjuardesës dhe rreh ekuipazhin

Një fluturim për në Heathrow të Londrës u detyrua të kthehej në Delhi, Indi këtë mëngjes pasi një pasagjer ka sulmuar stjuardesën dhe i ka shkulur flokët, për t’u përleshur më pas me pjesën tjetër të ekuipazhit.

Sipas Daily Mail, disa minuta pas ngritjes, burri sulmoi një stjuardesë dhe filloi ta tërhiqte prej flokësh. Pasagjeri – për arsye ende të panjohura – sulmoi edhe anëtarët e tjerë të ekuipazhit që u përpoqën të ndihmonin kolegen e tyre dhe ta qetësonin atë.

Piloti përfundimisht vendosi të kthehej në Aeroportin Ndërkombëtar Indira Gandhi në Delhi dhe policia, e cila ishte alarmuar, arrestoi pasagjerin dhe e largoi nga avioni.

“Fluturimi i Air India AI 111 i planifikuar për të kryer Delhi-London Heathrow më 10 prill 2023 u kthye në Delhi menjëherë pas nisjes për shkak të sjelljes së padisiplinuar të një pasagjeri në bord. Duke shpërfillur paralajmërimet verbale dhe me shkrim, pasagjeri vazhdoi sjelljen e tij të padisiplinuar, duke përfshirë edhe shkaktimin e lëndimit fizik të dy prej ekuipazhit të kabinës. Kapiteni vendosi të kthehej në Delhi dhe pasagjeri iu dorëzua personelit të sigurisë në ulje”, ka thënë një zëdhënës i Air India.

“Ne po ofrojmë të gjithë mbështetjen e mundshme për anëtarët e ekuipazhit që u bënë viktima të sulmit. Na vjen keq për shqetësimin e shkaktuar pasagjerëve dhe kemi riplanifikuar fluturimin”, shtoi kompania në deklaratën e saj.