Tronditet Vau i Dejës/ Shpërthen tritoli në makinën e kreut të PD-së. Ngjarja pak orë pas braktisjes së Alibeajt

Shpërthim tritoli në një makinë ka tronditur këtë të martë Vaun e Dejës.

Mësohet se ngjarja është shënuar gjatë orëve të para të së martës, ku një sasi lënde plasëse i është vendosur në automjet kreut të Partisë Demokratike së Rithemelimit në Vaun e Dejës.
Nga shpërthimi fatmirësisht mësohet se nuk ka lëndime në njerëz, por vetëm dëme materiale.

Mjeti në pronësi të shtetasit Bernard Ndreca, kreu i PD-së bashkia Vau i Dejës.Ndërsa hetimet për zbardhjen e ngjarjes vijojnë, atentati në fjalë vjen vetëm pak orë pasi lista e kandidatëve për Këshillin Bashkiak të PD-së së drejtuar nga Enkelejd Alibeaj në Vaun e Dejës doli në mbështetje të Zef Hilës në zgjedhjet e 14 Majit.

Lajmin e bëri dje të ditur vetë PD dega e Vaut të Dejës, me anë të një komunikate zyrtare për shtyp.

Në këtë komunikatë shkruhet se ata shprehnin hapur mbështetjen për kandidatin e koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Zef Hila.

Vau i Dejës/Informacion paraprak

Rreth orës 07:10, në fshatin Paçram, Vau i Dejës, në pjesën e përparme të automjetit tip “Audi”, në pronësi të shtetasit B. N., dyshohet se ka shpërthyer lëndë plasëse.

Me marrjen e njoftimit, menjëherë në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor.

Nga veprimet e para rezulton se shpërthimi ka ndodhur në momentin që shtetasi B. N. ka hipur në automjet.

Nga shpërthimi, shtetasi B. N. nuk ka pësuar dëmtime, por janë shkaktuar vetëm dëme të pjesshme materiale.

Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, vijon veprimet intensive në vendngjarje, me qëllim zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit/ve.