“Familjarët të kanë sjellë ilaçe”- Avokati i Izet Haxhisë: Si tentuan ta helmojnë në burgun e Reçit dhe telefonata me të motrën/ Drejtoria e burgjeve: U ngatërrua i burgosuri

Avokati mbrojtës i Izet Haxhisë, Idajet Beqiri, ka denoncuar për një tentativë për helmimin e klientit të tij në burgun e Reçit në Shkodër.

Përmes një deklarate, ai u shpreh se tentativa për helmimin e tij u bë përmes një pakoje me “ilaçe”, që kishte mbërritur në dhomën e izolimit ku Haxhia ndodhej. Në një reagim të tijin, ai shprehet se dy ditë më parë, në dhomën e izolimit ku ndodhet Haxhia, i ka shkuar një “pako me ilaçe”.

Mësohet se Haxhia, pasi ka pyetur punonjësin e burgut se cili nga familjarët e tij i kishin sjellë këto “ilaçe”, i është thënë se janë “ilaçe” dhe “vitamina” që ia kanë sjellë njerëzit e familjes. Siç pretendon avokati i tij, Haxhia ka telefonuar të motrën, e cila është e vetmja familjare që i sjell ilaçet, ndërsa kjo e fundit i ka pohuar se nuk ka dërguar asgjë në emër të tij.

“Izet Haxhia ka kërkuar takim urgjent me drejtuesit e Burgut të Reçit, por i ka shkuar një përfaqësues dhe i ka thënë që ishte bërë një ‘gabim’, pasi dërgesa nuk dihej cilit të burgosur i përkiste, sikurse nuk identifikohej as personi që i kishte futur këto ‘ilaçe’, deklaron avokati.

Mirëpo, menjëherë pas daljes së pretendimeve të mbrojtësit ligjor të Izet Haxhisë ka reaguar Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, e cila ka përgënjeshtruar deklaratën e Beqirit e po ashtu edhe pretendimet e Haxhisë për ndonjë tentativë për t’i bërë keq. Sipas kësaj Drejtorie mësohet se thjesht janë ngatërruar ilaçet me një të burgosur tjetër, por që nuk ka pasur asnjë lloj qëllimi nga ai që pretendojnë të dyja palët, por që infermierët kanë ngatërruar person.