Rënia e Euros nuk ndalet, prek rekord të ri historik

Euro ka prekur një minimum të ri historik në kursin e këmbimit me lekun.

Sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, euro u këmbye të martën me 112.63 lekë, në rënie të mëtejshme me 0.25 pikë krahasuar me fundin e javës së kaluar.

Sipas agjentëve të tregut valutor, faktori kryesor që po zhvlerëson euron është oferta e lartë e monedhës europiane. Ata shprehen se volumi i blerjeve të euros nga agjentët e këmbimit valutor është shumë më i lartë në raport me atë të shitjeve dhe kjo po shkakton një rënie të vazhdueshme dhe progresive të kursit të monedhës europiane. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, kursi i këmbimit të euros kundrejt lekut është zhvlerësuar me afërsisht 7%

Me afrimin e sezonit turistik, perspektivat e kursit të këmbimit duket se anojnë gjithnjë e më shumë drejt një zhvlerësimi të mëtejshëm të monedhës europiane.

Në analizën e fundit për ecurinë e kursit të këmbimit të këtij muaji, Raiffeisen Research i ka rishikuar për poshtë parashikimet e kursit të këmbimit euro-lek për këtë vit. Raiffeisen Research parashikon që kursi i këmbimit të euros të bjerë në nivelin 112 lekëve deri në muajin shtator dhe ta mbyllë vitin 2023 pranë nivelit të 112.4 lekëve. Ky parashikim mbështetet në pozitat tashmë të forta të lekut, pritjet për një sezon të mirë turistik, të shoqëruar me dërgesa të konsiderueshme të emigrantëve dhe nivele të larta të investimeve të huaja direkte./monitor