“Barriera mbrojtëse hyri brenda mjetit”, si ndodhi aksidenti ku vdiq 15-vjeçari dhe u plagos i vëllai

Aksident me një të vdekur dhe një të plagosur i rëndë në aksin rrugor Dishnicë-Çiflig. Ngjarja ka ndodhur në afërsi të fushës së mbetjeve urbane të qytetit të Korçës.

Sipas ekspertëve të qarkullimit rrugor, dy vëllezër kanë qënë duke udhëtuar nga Bilishti në drejtim të Korçës dhe mjeti i tyre ka humbur kontrolllin dhe është përplasur me barrierën mbrojtëse në krahun e kundërt të rrugës.

Nga shpejtësia e madhe, mjeti tip BMW me targa AB 077 CF që drejtohej nga 21-vjeçari Kevi Sherifi, ka marrë përpara disa metra të barrierën mbrojtëse, e cila ka hyrë brenda mjetit duke i shkaktuar plagë të shumta 15-vjeçarit Rei Sherifit, që ndodhej në sedilien e pasagjerit.

Burime spitalore bëjnë me dije se i mituri ka gjetur vdekjen, sapo ka hyrë në reanimacion ndërkohë që vëllai i tij ndodhet nën kujdesin e mjekëve, në gjendje të rëndë por jashtë rrezikut për jetën. Goditja ka qenë aq e fortë sa mjeti është ndarë në disa pjesë.

Ekpertët e qarkullimit rrugor mendojnë paraprakisht se drejtuesi i mjetit në momentin e aksidentit mund të ketë kryer një parakalim të gabuar dhe nga shpejtësia tej normave të lejuara, e ka pasur të vështirë të mbajë mjetin nën kontroll dhe për pasojë është postuar, në krahun e kundërt të rrugës nacionale.

Njoftimi i Policisë: Korçë/Informacion paraprak

Më datë 21.04.2023, rreth orës 12:05, në rrugën “Dishnicë-Çiflig”, shtetasi K. Sh., 21 vjeç, banues në fshatin Pojan, Maliq, duke drejtuar automjetin tip “BMW”, dyshohet se ka humbur kontrollin e drejtimit të automjetit dhe automjeti ka dalë nga rruga.

Për pasojë, janë dëmtuar drejtuesi K. Sh., i cili ndodhet nën kujdesin e mjekëve dhe shtetasi R. Sh.,15 vjeç, pasagjer në automjet, i cili pas mbërritjes në spitalin e Korçës, ka ndërruar jetë.

Grupi hetimor po kryhen veprimet procedurale dhe po punon për të përcaktuar shkaqet e daljes nga rruga.