U “eleminua” në lokalin e tij në Shëngjin/ Zbulohen detaje të reja nga vrasja e biznesmenit, një automjet tip “Golf” ishte vënë në ndjekje të vëllait të viktimës dhe…

Të tjera detaje janë zbardhur nga vrasja e biznesmenit Ardian Nikulaj në Shëngjin dy ditë më parë.

Sipas burimeve për News 24, bëhet me dije se autorët i kanë ndjekur anëtarët e familjes Nikulaj dhe i kanë monitoruar të gjitha lëvizjet e tyre.

Gjithashtu mësohet se dy javë para vrasjes së Nikulajt, një automjet tip “Hummer” është konstatuar në hyrje të pedonales së Shëngjinit, ku dy persona të panjohur kanë qëndruar për një kohë të gjatë në vendin e njohur si lapidari dhe më pas janë larguar.

Vetëm 3 ditë para vrasjes së Nikulajt, një automjet tip “Golf” është konstatuar nga vëllai i viktimës, i cili ishte vënë në ndjekje të tij dhe të shokut të tij që i shoqëronte.

Grupi hetimor ka dyshime se në atentat kanë marrë pjesë të paktën 3 persona, ku dy prej tyre kanë luajtur rolin e vëzhguesve.