Itali/ Ndërroi jetë kur po merrte leksione për t’u bërë pilot, pronari i 32-vjeçarit shqiptar: Fluturimi, pasioni i tij më i madh! Ëndërronte të blinte deltaplan

Fatjon Garxenaj, 32-vjeçari shqiptar që humbi jetën teksa po merrte leksione për pilot punonte si saldator në një kompani zdrukthtarie për më shumë se 7 vjet.

Pronari i kompanisë, Floriano Zeffiri e përshkruan si djalë të mirë, punëtor që ëndërronte të bëhej pilot dhe fliste vazhdimisht për udhëtimin me avion.

“Ishte djalë shumë i mirë, si nga ana njerëzore, ashtu edhe nga puna. Ka qenë punëtor i shkëlqyer dhe nuk e ka mërzitur askënd, ka qenë shumë i gatshëm, na ka treguar shpesh për fluturimet e tij, ne kemi një fushë prapa këtu dhe ëndërronte të nisej nga shtëpia dhe të zbriste këtu. Ai fliste gjithmonë për pasionin e tij me te madh, fluturimin me avion, ishte shume entuziast. I pëlqente të fluturonte, jetoi për të fluturuar, e bënte edhe bashkë me partneren, tha se një ditë do të donte të blinte një deltaplan. Të gjithë në zdrukthtari janë tronditur shumë, disa kolegë e morën vesh për tragjedinë vetëm pasi arritën në punë”, tha ai.

Zeffiri shtoi se janë të tronditur nga vdekja e parakohshme e shqiptarit dhe i shprehin ngushëllime familjarëve.

Si ndodhi ngjarja e rëndë

32-vjeçari shqiptar ishte bashkë me instruktorin italian 65-vjeçar kur u rrëzua deltaplani dhe humbën jetën. Ngjarja ndodhi ditën e djeshme në një rajon të Italisë veriore, në zonën e Romagna-s.Deltaplani ishte nisur nga fusha ajrore e Villafranca dhe u përplas në një fushë midis kufirit të provincave Forlì dhe Ravenna. Piloti i cili ishte njëkohësisht edhe instruktori i shqiptarit që po merrte mësime mbi fluturimin nuk ka kontrolluar dot dy kthesa të papritura që avioni ka bërë dhe për rrjedhojë ka përfunduar duke u përplasur në tokë.