“Pse injorantë jemi ne?”/ Kënga e fushatës së PS-së përfshin në debat artistët, plas sherri në studio mes Jul Dedës e Kastro Zizos

Duket se kënga e fushatës së Partisë Socialiste, “Përpara”, ka nxitur debate në opinionin publik. Teksa disa e konsiderojnë një këngë me ritme tallava dhe aspak serioze, disa të tjerë e quajnë ritmike.

Në një diskutim në studion e “Më lër të flas”, Renis Gjoka, Jul Deda, Kastro Zizo dhe Zefina Hasani komentuan muzikën dhe tekstin e këngës “Përpara. Renis Gjoka e cilësoi tekstin ofendim për masën.

“Me përzgjedhjen që i kanë bërë këngës, mendoj se është një lloj ofendimi për masën. Dihen botërisht shijet e kryeministrit për muzikën, që janë shumë larg me atë këngë”, tha Gjoka. Ndërsa Kastro Zizo u shpreh se kënga është bërë për t’u përdorur nga PS në fushatë me qëllim që të fitojë zgjedhjet

“Çështja është që në rastin konkret, janë disa njerëz që kandidojnë për të fituar. Të gjithë kanë një qëllim për të fituar. Ky material është bërë që të jetë një kolonë zanore e takimeve elektorale të një force politike që synon të fitojë”, tha Zizo.

Renis Gjoka: Unë nuk po them pse qeveria nuk nxori një këngë proteste, një këngë të zymtë etj. Shumë mirë që ka nxjerrë një këngë për të kërcyer, një këngë të hareshme për të treguar që ne jemi shumë mirë. Problemi është se teksti që ajo këngë ka brenda, është në një zhargon rruge. Nuk është e hijshme që për një këngë fushate, të ketë atë lloj zhargoni.