Policia ‘blindon’ Sarandën, shkak bëhet zhdukja e dy personave (FOTO)

Forca të shumta të Policisë së Sarandës po zhvillojnë një operacion në bashkëpunim me forcat operacionale të Vlorës. Prej orësh kanë ngritur pika kontrolli për zbulimin e detajeve në lidhje me dy 46-vjeçarët e zhdukur prej 6 prillit, Leonard Thodhorit të njohur si Koçolja dhe Fatmir Sulovarit alias Fatmir Krasniqi.

Deri më tani raportohet se kontrollet janë zhvilluar në zona të njësisë administrative Xarrë në Bashkinë Konispol, mes Bashkisë Sarandë dhe asaj Himarë. Edhe në Qafë Gjashtë ka kontrolle. Deri më tani mësohet se është sekuestruar një automjet, ndërsa një tjetër është kontrolluar, ndërkohë që nuk dihet nëse kanë lidhje me dy të zhdukurit.

Dyshja u zhdukën më 6 prill. Ata dyshohet të kenë hipur me vullnetin e tyre në një makinë me targa greke të vjedhur në Lezhë, që nënkupton se njiheshin me drejtuesin. Mjeti në fjalë është pikasur nga kamerat në hyrje të Sarandës, por nuk është parë të dalë më nga qyteti. Dyshimet janë se automjeti i rrëmbyesve mund të ketë përshkruar Qafën e Soronesë për të hyrë ne territorin e Bashkisë Konispol, por ende nuk ka një version zyrtar. Gazetari Artan Hoxha është shprehur se ata janë vrarë e se trupat u janë zhdukur.