Detaje të reja nga vrasja e Stiven Toshkesit/ Si u plagos viktima 2 muaj më parë me hanxhar nga djali i Admir Muratajt, kush i largoi autorët natën e 18 Prillit

Detaje të reja kanë dalë në dritë lidhur me ngjarjen e rëndë të 18 prillit në Tiranë ku i vdekur mbeti 19 vjeçari, Stiven Toshkesi, pasi u qëllua me thikë nga Axel Hoxhaj, i cili i bëri pritë në afërsi të banesës së të riu së bashku me mikun e tij, Ensi Maze.

Siç është raportuar më parë, të konfirmuar edhe nga burime policore shkak i ngjarjes së rëndë ka qenë konflikti për një vajzë. Për ngjarjen janë arrestuar dy 18-vjeçarët Ensi Maze dhe Axel Hoxhaj, ku ky i fundit dyshohet se e ka qëlluar me hanxhar 19-vjeçarin Stiven Toshkesi duke i sjellë edhe vdekjen, ndërsa 18-vjeçari tjetër Ensi Maze ka mbajtur derën e makinës.

Të dy të rinjtë e arrestuar për krimin nuk banonin në zonën ku ndodhi ngjarja, që lë dyshime se dy të rinjtë kishin shkuar me qëllimin për ta goditur 19-vjeçarin. Ndërkohë, sipas “BallkanWeb”, mësohet se Stiven Toshkesi konfliktin për një vajzë e ka pasur më një person tjetër dhe jo me dy 18-vjeçarët e arrestuar.

Toshkesi është konfliktuar më herët me 18-vjeçarin Abëri Murataj, djali i Admir Murataj, i cili mbeti i vrarë në grabitjen e Rinasit në prill të vitit 2019 ku qëlloi me armë drejt policisë. Shkak i konfliktit midis Arbër Muratajt dhe Stiven Toshkesit ishte një vajzë, me të cilën ky i fundit ishte i lidhur.

Sipas burimeve policore dhe nga grupi hetimor, Arbër Murataj rreth dy muaj më parë ka marrë në telefon Toshkesi për t’u sqaruar. Ata janë takuar në rrugën e Elbasanit pranë shkollës së Baletit, ku kishin lënë edhe takimin për t’u sqaruar. Por, në momentin që Toshkesi shkoi në takim, ai është qëlluar me hanxhar nga 18-vjeçari Arbëri Murataj.

Toshkesi ka arritur të mbrohet dhe të plagoset lehtë në bark dhe është larguar nga vendi i ngjarjes, por nuk ka bërë denoncim në polici pasi është kërcënuar me jetë nga Murataj.

Sips hetimeve rezulton se ky konflikt e ka zanafillën para dy muajsh ku Toshkesi është plagosur me hanxhar dhe më pas në 18 prill ai u vra për vdekje po me hanxhar, nga Axel Hoxhaj, i cili rezulton të ketë lidhje të afërt familjare me Arbëri Muratajn.

Gjithashtu një tjetër pistë hetimi është dhe mënyra se si dy të rinjtë u larguan nga vendi i ngjarjes, pra kush ishte personi që largoi dy autorët nga vendi i ngjarjes me makinë.