Rastësia e madhe! Si e zbuloi policia motorin që përdori portugezi për vrasjen?

Rënia në gjurmë të motorit, i cili u përdor në ekzekutimin e Ardjan Nikulaj në Shëngjin të Lezhës, ka qenë një rastësi. Gazetari Elton Qyno shkruan se një nga oficerët që janë pjesë e grupit të hetimit, në datën 21 Prill 2023, ka kërkuar në Google me fjalët “…shes motor “Yamaha X Max…”.

Në këtë moment është shfaqur një nga faqet e shitjes se mjeteve dhe pronave në internet “M…J…”. Nga këqyrja që oficeri i ka bërë kësaj faqe në njoftimet e postuara në ditët e muajit Prill dhe muajit Mars, është konstatuar njoftimi për shitjen e një motori, identik me karakteristikat e motorit që ishte përdorur në vrasjen e Nikulajt në Shëngjin. Njoftimi kishte dalë në 28 Mars 2023 dhe po në të njëjtën ditë ishte shpallur shitja. Por fatmirësisht edhe pse ishte shitur, njoftimi nuk ishte fshirë nga publikimet e faqes M….J….

Policia ka telefonuar numrin e publikuar në njoftim, dhe nga ana tjetër ka dalë shitësi, i cili është udhëzuar se po kontaktohej nga policia për një sqarim. Personi jeton në zonën e “21 dhjetorit” në Tiranë. Ai është shfaqur përballë punonjësve të policisë, me një kontratë noteriale, duke treguar se motorin ja kishte shitur një vajze, kundrejt çmimit prej 1800 euro. Çmim i cili përkonte edhe me shumën financiare të publikuar në njoftim. Zbulimi i emrit të vajzës, çoi në ngritjen e dyshimeve të forta se vrasja e Nikulajt kishte të bënte me gjakmarrjen.