“Ten lekë benzinë”, si i dështoi plani portugezit dy ditë para ekzekutimit të Ardian Nikulajt, zbulohet intinerari i vrasësit para dhe pas ngjarjes

Detaje të reja janë zbuluar nga vrasja e Ardian Nikulajt pak ditë më parë në restorantin e tij në Shëngjin. Autori i dyshuar i ekzekutimit të biznesmenit, portugezi Ruben Saraiva ka tentuar ta vrasë Nikulaj në datë 17 dhe 18 Prill, por plani ka dështuar.

Kamerat e sigurisë e kanë fiksuar atë në 17 prill teksa lëviz me motorrin “Gilera M365”, në aksin Gocaj Balldre-Lezhë-Shëngjin. Ai mbërrin në orën 15.48 dhe parkon motorin te kompleksi i pallateve “Bardh e blu” që ndodhet pranë restorantit “Coral” të viktimës.

Sipas burimeve të Klan News autori ka qëndruar në pritje të sinjalit nga vëzhguesi, anglezi Harry Simpson, por rrethanat nuk kanë qenë të përshtatshme dhe ai është larguar në orën 19.31 me motor duke ndjekur të njëjtin intinerar.

Të nesërmen në datë 18 Prill, kamerat tregojnë se me të njëjtën veshje, portugezi vjen me motor nga e njëjta rrugë dhe e parkon në orën 11.41, pranë restorantit. Pret 9 orë i futur në kompeksin e pallateve të pabanuar dhe largohet në mbrëmje, duke mos arritur sërish qëllimin, pasi Nikulaj ka qenë në shoqërinë e familjarëve dhe personave të tjerë.

Në dosjen e Prokurorisë të siguruar nga Klan News, mësohet se në ditën e vrasjesRuben Saraviva shihet ne kamera në itinerarin Gocaj- Balldre- Lezhë. Ai ka ndaluar në një pikë karburanti në orën 11.27 minuta.

Në dëshminë e marrë më pas nga punonjësit të pikës së karburantit, rezulton se portugezi ka pasur të njëjtën uniformë si të dy ditëve më parë. Punonjësi u deklaroi hetuesve se Saraiva i është drejtuar me shprehjen “Ten lekë benzinë” dhe i ka zgjatur një kartmonedhë 2 mije lekëshe të zhubravitur. Punonjësi i karburantit dëshmoi se e ka kuptuar menjëherë që kishte të bënte me një të huaj. Ai ka furnizuar motorin me 1 mijë lekë benzinë dhe i ka kthyer portugezit kusurin.

Ndërkohë po ditën e ngjarjes britaniku Harry Simpson, i cili kishte rolin e vëzhguesit, ka qëndruar në lokalin e Ardian Nikulajt nga ora 11.33 deri në momentin kur ndodhi vrasja. Ai shihet të konsumojë disa birra, si dhe luan bilardo me një të mitur, ndërsa se hyn e del disa herë nga ambienti lokalit të viktimës.

Gjithashtu rezulton se pak minuta para vrasjes ia ka folur në telefon, duke infomuar portugezin për lëvizjet në lokal. Portugezi Saraiva niset për të kryer atentatin, por kthehet pasi informohet në kohë reale se Nikulaj nuk ishte ulur në tavolinë, por hyri në kuzhinë.

Pas disa sekondash, bashkëpunëtori e informon se shënjestra u ul në tavolinë dhe ai niset menjëherë, hyn në lokal dhe qëllon objektivin. Pasi qëlloi objektivin, portugezi kthehet me vrap në vendin ku kishte parkuar motorrin dhe niset drejt Lezhes, duke humbur gjurmët.