Zylfie Haklaj i përgjigjet Azgan Haklajt: Po përpiqet të shfajësojë Berishën nga vrasjet në Tropojë, ja si u vra vëllai im një ditë pas akuzave të Saliut, skema që përdori me kriminelët nga burgu dhe dëshmitarët që duhet të pyesë SPAK

Familja që e ka paguar më shtrenjtë politikën përçarëse e gjakësore të inskenuar dhe realizuar prej Sali Berishës në Tropojë është familja “Haklaj”, e cila vazhdon t’i mbajë të hapura “llogaritë e gjakut” me familjen “Berisha”. Zylfie Haklaj ka zbuluar të tjera detaje nga masakra që ka bërë haptazi në Tropojë Sali Berisha. Në një reagim për gazetën “SOT”, Zylfie Haklaj i është përgjigjur deklaratës së ish-deputetit të Partisë Demokratike, Azgan Haklaj, i cili u përpoq pak ditë më parë sipas saj të shfajësojë Berishën nga vrasjet në Tropojë.

Zylfie Haklaj shprehet se nuk është Ilir Meta që ka akuzuar Ylli Hakljan, por Sali Berisha. “Kangën e dimë mirë”, shprehet Zylfie Haklaj, duke iu përgjigjur Azgan Haklajt. Zylfia thotë se për vrasjen e vëllait të saj, duhet të pyetet Shefi i Komisariatit të Tropojës Ali Gjoni së bashku me të gjithë policët që kanë qenë në punë atë ditë. “Më datën 28 nëntor të vitit 2000, Partia Demokratike Tropojë me urdhër të Sali Berishës kanë djegur, shkatërruar organet juridike në Tropojë duke liruar kriminelë që kanë vrarë njerëz menjëherë pas daljes nga burgu.

Në Komisariatin e Tropojës është bërë rezistencë nga policia dhe Sali Berisha ka akuzuar Ylli Haklajn dhe Hamdi Haklajn që mbrojtjen Komisariatin e Tropojës. Më datën 02.12.2000, Gazeta e PD ka shkruar për Ylli dhe Hamdi Haklajn, më datën 03.12.2000 është vrarë Ylli Haklaj. Kërkesa e familjes tonë është që të pyetet Shefi i Komisariatit të Tropojës, Ali Gjoni së bashku me të gjithë policët që kanë qenë në punë atë ditë ku ka qenë Ylli dhe Hamdi Haklaj në mbrojtje të Komisariatit Bajram Currit më 28 nëntor të vitit 2000.

Dhe një pyetje drejtuar Azgan Haklajt, nuk e paskemi ditur që festohet Shpallja e Pavarësisë duke sulmuar organet juridike. Kemi menduar që Pavarësia është akt paqeje dhe lirie e jo pushtimi dhe gjakosje”, u shpreh Zylfie Haklaj për gazetën “SOT”.

Reagimi i Azgan Haklajt

Deklarata e Zylfie Haklaj vjen pas reagimit të ish-deputetit Azgan Haklaj, i cili fajësoi kryetarin e PL-së, Ilir Metën duke thënë se ky i fundit në shtator të vitit 2000 kur ishte kryeministër ka përgjakur Tropojën. “Në 26 shtator të vitit 2000 Ilir Meta ka trazuar tropojanët.

I ka dezertuar e gjithë Garda e Republikës. Është hakmarrë poshtërsisht ndaj meje. Pas 28 nëntorit të vitit 2000 që ne po festonim ditën e flamurit, Meta përgjaku Tropojën, ku u vra një person dhe u plagosën disa të rinj. Trupat e urdhëruara nga ai kanë hyrë në shtëpinë time në orën 2 të natës dhe kanë dhunuar edhe vajzën time 4 vjeç.

Më kanë marrë nga Tropoja e në Tiranë duke më dhunuar duke më djegur me bishtin e cigares. Artan Hoxha dhe Poli Hoxha bën dy raporte shumë të rëndësishme që sensibilizuan opinionin publik për arrestimin tim politik banditesk. Paradoksi është se sot Meta dhe Berisha janë bashkë në koalicion.

Kur i gjithë konflikti në Tropojë ishte prej Metës”, deklaroi ai. Më tej Haklaj shtoi gjithashtu se Meta i kishte kërkuar të takoheshin pa dijeninë e Berishës, por theksoi se i kishte vendosur disa kushte. “I kam thënë takohem, pasi t’i kërkosh falje Malësisë së Kosovës, për dhunën ndaj meje. Ai kishte qejf takime kulisash, ndërsa unë doja takim haptas”, u shpreh ish-deputeti i Partisë Demokratike, Azgan Haklaj.