Gjykata britanike lë në burg vrasësit e Nikulajt, “Daily Mail” zbulon se krimi ndodhi pas sherrit për 80 mijë paund, vëllai i biznesmenit nxjerr nga ngujimi familjen e Edmond Haxhisë

Gjykata britanike ka lënë dje në burg 3 të arrestuarit e parë për vrasjen e Ardian Nikulajt në Shëngjin. “Daily Mail” shkruan se Edmond Haxhia, Steven Hunt dhe Thomas Mathin janë lënë në paraburgim dhe kanë nisur procedurat e ekstradimit, ndërkohë që ngre një tjetër pistë hetimi.

Sipas saj, ka dyshime se vrasja mund të ketë ardhur për një borxh prej 80 mijë paund. Ndërkohë duhet theksuar se autoritetet shqiptare shprehen se vrasja mund të ketë ndodhur për gjakmarrje, pasi fisi Nikulaj ishte i përfshirë në vrasjen e disa anëtarëve të fisit Lestakaj.

Ndërkohë në kërkim mbeten Ruben Saraiva, shtetas portugez, i dyshuar si ekzekutori dhe Harry Simson, shtetas britanik. Policia e Shtetit vijon intensivisht punën, në bashkëpunim të ngushtë me partnerët për lokalizimin dhe kapjen e personave të tjerë të shpallur në kërkim në lidhje me ngjarjen. “Tre ‘vrasësit’ britanikë të dyshuar si të përfshirë në ekzekutimin e një biznesmen shqiptar dolën dje para gjykatës.

Edmond Haxhia, 37 vjeç, Steven Hunt, 49 vjeç dhe Thomas Mathin, 35 vjeç, akuzohen për atentatin ndaj 51-vjeçarit Ardian Nikulaj në lokalin e tij, “Coral”, në Shëngjin të Shqipërisë. Policia beson se vrasja erdhi si pasojë e një mosmarrëveshjeje mbi 80,000 paund mes dy familjeve. Pamjet e publikuara nga policia tregojnë një person të armatosur të maskuar që qëllon me pistoletë ndaj z. Nikulaj më 19 prill.

Hunt, Haxhia dhe Mathin u paraqitën në bankën e të akuzuarve në Gjykatën e Ëestminsterit pas një kërkese nga Shqipëria për ekstradimin e tyre. Të treve iu është caktuar masa e paraburgimit. Hunt dhe Mathin janë nga Bristol. Për Haxhinë nuk u dha asnjë adresë. Po ashtu thuhet se është arrestuar dhe vajza britanike Harriet Bridgeman, 28 vjeç”, thuhet në shkrimn e “Daily Mail”.

Familja Nikulaj sytë tek drejtësia për zbardhjen e vrasjes

Por vrasja e Ardian Nikulajt të mërkurën e 19 prillit tronditi mbarë opinion publik, riktheu dhe një herë fenomenin e gjakmarrjes në vendin tonë.

Persona të afërt të familjes Nikualj kanë konfirmuar mbrëmjen e sotme se familja Nikulajt ka nxjerrë nga ngujimi familjen e Edmond Haxhisë, të cilët pas përfshirjes së tij në këtë ngjarje u ngujuan. E gjithë kjo vjen si pasojë e zbardhjes së shpejtë të kësaj ngjarje nga Policia e Lezhës, gjithashtu dhe bashkëpunimi me shtetin anglez dhe arrestimin e shpejtë të Edmond Haxhisë dhe 3 bashkëpunëtorëve të tij.

Familja Nikulaj la pas kanunin, duke ia lënë drejtësisë në dorë vrasjen e vëllait të tij. Adrian Nikulaj, biznesmen në Lezhë, ish kandidat për deputet në zgjedhjet e 2021-shit dhe kandidat për Këshill Bashkiak në zgjedhjet e 14 majit të këtij viti u vra me pistoletë nga një person i maskuar në ambientet e biznesit të tij Coral rreth orës 13:30 në 19 prill.

Autori mbante një maskë, skafandër, jelek fosforeshent dhe i kamufluar me veshje të trasha, pasi kryen vrasjen me pistoletë në një distancë shumë të afërt dhe i vetëm u largua qetësisht me motor nga vendngjarja. Viktima po konsumonte kafen e tij të fundit në lokalin e tij në Shëngjin, kur autori e ka qëlluar shtatë herë me pistoletë në kokë dhe në pjesë të tjera të trupit.

Nikulaj darkoi me vrasësit e tij

Nga ana tjetër, mësohet se Ardian Nikulaj ka konsumuar darkë me disa nga bashkëpunëtorët e vrasjes së tij. Në pamjet e kamerave të sigurisë, duken informatorët që hyjnë në lokalin e biznesmenit të tjerë.

Ata hiqen si turistë dhe darkojnë me shenjestrën e tyre. Ndërkohë, në një tjetër video, duket bashkëpunëtori që luan bilardo me djalin e viktimës, ç’ka dëshmon se autorët po e studionin deri në detaje Ardian Nikulajn, para se të vinin në zbatim planin e tyre. Edmond Haxhia, ishte ai që porositi shtetasit e huaj për të kryer vrasjen e biznesmenit.

Planit nisi para tre muajsh, kur Haxhia mbërriti në Shqipëri dhe nisi të studionte lëvizjet e objektivit dhe rrugët që do të ndiqnin pas kryerjes së vrasjes. Pas tij, më 14 shkurt në Shqipëri mbërriti ekzekutori portugez Ruben Saraiva, i cili qëndroi në Shkodër për gati dy muaj në një banesë të marrë me qira dhe shpesh herë është kapur nga kamerat e sigurisë dhe pranë lokalit “Coral” në Shëngjin duke ndjekur objektivin e tij.

Në pjesën më të madhe të rasteve, ai lëvizte me të njëjtat rroba dhe me të njëjtin maskim. Ndërsa në muajin mars, mbërritën 3 britanikë mes tyre dhe një vajzë që kryenin rolin e vëzhguesit duke u fshehur mes dukjes si turistë.

Ata kanë shkuar edhe brenda lokalit që konsiderohej vendi më i sigurt për Ardian Nikulajn dhe kishin fotografuar ambientet dhe studiuar daljet. I fundit në Shqipëri ka mbërritur Steven Hunt, i cili erdhi nga Rinasi më 11 prill dhe dyshohet se ishte personi që njoftoi Ruben Saraivën se objektivi ishte i vetëm në tavolinë dhe mund të vepronte.