“Dyshojmë se trupat e pajetë janë në det”/ Vëllai i Sulovarit ngre dyshime të forta dhe bën thirrjen e fortë për ndihmë

Gëzim Krasniqi, vëllai i Fatmir Krasniqit i njohur ndryshe dhe si Fatmir Sulovari, tha në një intervistë për Euronews Albania se dyshon në vrasjen dhe zhdukjen e të vëllait dhe shokut të tij të njohur si Koçolja.

Sidoqoftë, ai pohoi se s’mund t’i vënë gishtin askujt për aq kohë sa nuk kanë pasur asnjë konflikt.

Ndërsa, tha se Rrumbullaku iu kishte premtuar vijimin e kërkimeve, Krasniqi tregoi se do të përqendrohen në det.

“Mund të jenë hedhur në det, një mundësi është që të jenë hedhur në det, mundësia tjetër është të jenë hedhur në zonat rrotull, se dhe unë nuk i di mirë ato zona. Jemi mbi 30-40 veta që për 15 ditë kemi kontrolluar me imtësi çdo gjë, por s’kemi pasur mundësi më tepër. Kemi kontrolluar nëpër pyll, nëpër ferra, në këneta, në lumenj, kanale, të gjitha,” – u shpreh Gëzim Krasniqi.

Familjarët e dy personave të zhdukur në Sarandë kanë mbajtur këtë të martë një protestë përpara Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit.

Policia e Sarandës ka arrestuar 28-vjeçarin Sofokli Baxheri, për veprën penale të “Kryerjes së veprimeve që pengojnë zbardhjen e të vërtetës”. Sipas policisë ai ka dijeni për zhdukjen e Koçoles dhe Sulovarit.

Leonard Theodhori, 46 vjeç i njohur si “Koçole”, i dënuar disa here ishte i dyshuar si pjesëmarrës në Masakrën e Qafë-Gjashtës në vitin 1997 ku u vra oficeri i policisë Gjergj Mehmeti. Në vitin 2003 ka qenë prezent ne automjetin që drejtohej nga Andrea Gjini para se ky i fundit të vriste biznesmenin Jaho Bajo. I arrestuar po atë vit për “moskallëzim krimi” lidhur me një ngjarje tjetër të kryer nga Gjini. I arrestuar më pas për “vjedhje” e “mashtrim”. Përdorues i lëndëve narkotike dhe i dyshuar si i përfshirë në trafik lëndësh narkotike.

Fatmir Sulovari alias Fatmir Krasniqi, 46 vjeç, i dënuar më parë për “armëmbajtje pa leje” dhe “plagosja e lehtë me dashje”. I arrestuar ne prill 2022 ne Lushnje, pasi ne mjetin e tij “BMW” X5 u gjet një sasi cannabis sativa e ndarë në doza gati për shitje.