Tradhtia përballë akuzave për ngacmimin se*sual/ Çfarë dihet për krimin që tronditi familjen Malaj, pamjet që nxorën avokatët e Taulantit në gjyq, Tefta përqafohet me djalin

Tefta Malaj është takuar dje me vogëlushin e saj 5-vjeçar, teksa ndodhet ende në spital, duke u trajtuar pas plagosjes nga bashkëshorti i saj Taulant Malaj. Në ambientet e spitalit i mituri është dërguar nga të afërmit e Taulantit, të cilët kanë mbajtur këtë javë vogëlushin, të cilit babai i vrau motrën dhe i plagosi të ëmën.

Nga ana tjetër mediat në Itali kanë trajtuar gjerësisht akuzat e Tefta Malajt për bashkëshortin e saj, të cilin e etiketoi një monstër në një intervistë për emisionin “Me Zemër të Hapur”, pasi sipas saj kishte tentuar që të abuzonte seksualisht me vajzën e tyre, Xhesikën, të cilës i mori jetën.

Tefta tha se vajza dhe ajo kishin vendosur që të mos e denonconin 45-vjeçarin, pas lutjeve të vazhdueshme të tij, madje nga frika ato kishin instaluar kamera sigurie në banesë, të cilat kontrolloheshin herë pas here nga 39-vjeçarja.

Shqiptarja deklaroi se bashkëshorti i saj donte që të vriste dhe djalin 5-vjeçar, ndërkohë që një akuzë e tillë kundërshtohet me forcë nga avokatët e Taulantit, të cilët deklarojnë se ai në asnjë moment nuk ka pasur si qëllim që të vriste fëmijën.

Për të konfirmuar këtë– sipas mbrojtjes – se Malaj nuk donte të dëmtonte fëmijën, do të ishin pamjet e atyre momenteve të regjistruara nga kamerat e vendosura në shtëpinë e tij. Videoja iu shfaq gjyqtarit në seancën paraprake që u mbajt gjatë ditës së djeshme.

Në video shihej se fëmija nuk ishte fshehur, siç doli në fillim. “Ishte aty – thonë mbrojtësit – e ka parë skenën”. Sipas avokatëve, duke parë videon e atyre momenteve në sallën e gjyqit, “Taulanti ka pësuar humbje ndjenjash”. “Ai gradualisht po ndërgjegjësohet për tragjedinë që ka ndodhur”, sqarojnë avokatët.

Sipas tyre, shqiptari e ka pasur të pamundur që të fliste më shumë, për shkak se ishte i dëshpëruar për krimin që kishite kryer ndaj vajzës së tij, vetëm 16-vjeçare.

Taulanti vazhdon të përsërisë se atë natë “nuk kuptoi asgjë”, se kishte “djallin në kokë dhe iu errën sytë”. 45-vjeçari po mbahet nën vëzhgim të ngushtë në burg pasi dyshohet se mund të kryejë akte vetëlëndimi.

Të ndarë në qëndrimet e tyre janë edhe familjarët e çiftit të bashkëshortëve, ku të afërmit e Taulantit deklarojnë se ata nuk kanë qenë në dijeni të problemeve, dhe rrëzojnë të dyja akuzat, qoftë atë për tradhti nga ana e Teftës, qoftë abuzimin e pretenduar të Taulantit me vajzën e tij Xhesikën.

Tefta Malaj insiston që të hapen sa më shpejt kamerat e sigurisë në banesë, në mënyrë që të vërtetohet e gjithë dinamika e ngjarjes. Ajo insiston se nuk ka pasur një raport intim me Masimo De Santis, italianin që u vra nga bashkëshorti i saj, dhe se me të njihej vetëm për shkak se jetonin në të njëjtin pallat.

Të kundërtën pretendon Taulanti, i cili thotë se ka pamje filmike të bashkëshortes së tij dhe italianin, duke u takuar dhe duke shëtitur me një mjet Maserati në pronësi të viktimës, të cilit i mori jetën me disa goditje me mjet prerës.