Kërcet grushti në Durrës, përplasje fizike mes simpatizantëve të PS dhe të “Bashkë Fitojmë”

Që prej orëve të para të mëngjesit të sotëm, kur ka nisur zyrtarisht procesi i votimit për zgjedhjen e krerëve të rinj të bashkive, në qytetin e Durrësit situata ka qenë vazhdimisht e tensionuar, kjo pasi, përveç problemeve teknike, ka pasur edhe probleme nëpër qendrat e votimit.

Së fundmi raportohet se ka pasur një konflikt fizik në qendrën e votimit pranë shkollës “Naim Babameto”, ku simpatizantë dhe anëtarë të Partisë Socialiste janë përleshur me ata të koalicionit opozitar “Bashkë Fitojmë”.

Drejtues të këtij të fundit kanë denoncuar se po ushtrohet presion i vazhdueshëm nga ana e socialistëve ndaj votuesve dhe në përpjekje për t’i frenuar, situata ka degraduar deri në përdorimin e dhunës dhe përleshjeve fizike mes palëve.